Shazam do të identifikojë më shumë sesa muzikën

Shazam, kompania që fshihet pas aplikacionit popullor i cili ju jep mundësinë 100 milion përdoruesve të saj të identifikojnë muzikën që duan, ka deklaruar se ka në plan të zgjerojë aktivitetin dhe përdorimin e këtij aplikacioni. Aplikacioni nuk do të njohë më vetëm muzikën por tani e tutje do të jetë i aftë të identifikojë dhe produkte në dyqane.

Për ta bërë të mundur këtë, kompania arriti të mblidhte 30 milion dollar fonde nga një sërë miliarderësh të paidentifikuar dhe shume të tjera nga institucione financiare vetëm gjatë muajit Janar. Rich Riley, ekzekutivi i kompanisë tha për Reuters se këto fonde do ta ndihmojnë kompaninë të shtojë stafin e saj dhe të nënshkruajë marrëveshje me partner dhe kompani të reja për të bërë të mundur këtë aktivitet. Ai shtoi se butoni i madh blu në qendër të ekranit do të vazhdojë të jetë aty vetëm se tani ai do të bëjë më shumë se identifikimin e një muzike.

Shazam është zhvilluar me ritme të mëdha që nga viti 1999 kur u themelua, duke fituar një popullaritet të madh falë aftësisë për të identifikuar muzikën vetëm me anë të klikimit të një butoni. Vitet e fundit ky aplikacion ka filluar dhe të shesë këngët që përdoruesit kërkojnë të identifikojnë. Ndër vite, Shazam ka mbetur ndër 25 aplikacionet më të shkarkuara.

Faza e re e zhvillimit të Shazam ka të bëjë me identifikimin e objekteve konkrete, si për shembull një pako biskotash në një dyqan për të marrë më shumë informacion rreth të mirave ushqyese që ky produkt ofron. Ky opsion parashikohet të mirpritet në mënyrën më të mirë nga përdoruesit, sidomos nga ata që janë të apasionuar pas ushqimit. Edhe pse Shazam nuk bëri të ditur detaje financiare, ajo tha se raundi i fundit i mbledhjes së fondeve arriti shifrën e 1 miliard dollar.

SHKARKO APP