WhatsApp: Masa për shpërndarjen e mesazheve të rreme zanore, 1.000.000 dollarë për verifikimin e fakteve

WhatsApp ka marrë masa për të ndaluar përdorimin e platformës për të shpërndarë mesazhe të rreme dhe dezinformatave në lidhje me coronavirus. Aplikacioni, i cili është në pronësi të Facebook, shpesh është përdorur për përhapjen e “thashethemeve” të rreme gjatë pandemisë së COVID – 19, e më së shumti nëpërmjet mesazheve anonime me zë apo me tekst.

Në një nga rastet më të fundit, një mesazh zanor filloi të shpërndahej në WhatsApp, me pretendimin se studiues të Universitetit të Mjekësisë në Vjenë kishin gjetur një lidhje midis ibuprofenit dhe simptomave të rënda të coronavirus.

Në një deklaratë për Euronews, WhatsApp tha se është përkushtuar për të gjurmuar mesazhet virale dhe se ka zvogëluar numrin e chat-eve, në të cilat mesazhet mund të shpërndahen në mënyrë të menjëhershme.

“Ne duam të inkurajojmë të gjithë përdoruesit që të kontrollojnë faktet në internet, përpara se të shpërndajnë mesazhet vokale që u janë dërguar atyre, si dhe ftojmë të gjithë përdoruesit që të lidhen direkt me sajt-et e besuara dhe zyrtare për t’u informuar mbi informacionet  e rëndësishme” thanë përfaqësuesit e WhatsApp për Euronews.

Po ashtu, të mërkurën, WhatsApp zbuloi “Qendrën e Informacionit mbi Coronavirus”, e cila synon të sigurojë udhëzime të thjeshta dhe të vlefshme kudo në botë, për punonjësit e shëndetit, qeveritë dhe bizneset që mbështeten në softuerin. Po ashtu, resurset do të jenë të disponueshme për përdoruesit për të zvogëluar përhapjen e “thashethemeve” dhe për të “afruar” përdoruesit me informacione të sakta.

Kjo lëvizje është në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetit dhe me Programin për Zhvillim të Shteteve të Bashkuara. Nga ana tjetër, WhatsApp njoftoi se do të dhurojnë 1.000.000 dollarë për Rrjetin Ndërkombëtar të Kontrollit të Faktit, të Poynter (IFCN). Granti ka për qëllim të mbështesë Aleancën #CoronaVirusFacts, e cila përfshin më shumë se 100 organizata lokale në të paktën 45 shtete.

“Ne e dimë që përdoruesit tanë janë duke përdorur  WhatsApp-in më shumë se kurrë në këtë kohë krize, pavarësisht nëse bëhet fjalë për biseda mes miqve dhe të dashurve, mjekëve me  pacientët, apo mësuesve me  studentët” tha Will Cathcart, drejtuesi i WhatsApp. “Ne kemi dashur të sigurojmë një resurs të thjeshtë që mund të ndihmojë në lidhjen e njerëzve me njëri- tjetrin në këtë kohë” shton më tej Cathcart, e po ashtu se janë të lumtur që po suportojnë IFCN-në dhe për punën që po bëjnë për të shkatërruar “thashethemet”.

WhatsApp është angazhuar me Ministritë e Shëndetësisë kudo në botë, përfshirë Brazilin, Izraelin, apo Singaporin, për të ndihmuar dhe siguruar informacion të saktë për publikun.

Burimi: Euronews

SCAN

SHKARKO APP