Dyndje turistësh në Durrës, turisti: Jetoj në Itali, por Golemi është plazhi i zemrës

E diela ka sjellë një fluks të lartë pushuesish drejt plazheve të Adriatikut, duke shkaktuar edhe trafik të ngarkuar në rrugët përgjatë tyre.

Falë shërbimit të mirë dhe çmimeve të pranueshme, plazhet e Durrësit dhe Golemit mbeten nga më të preferuarat. Hotelet dhe restorantet e shumta po mirëpresin një numër të madh pushuesish vendas e të huaj.

“Jam nga Bari dhe vij për herë të parë. Në Itali kemi plazhe dhe një det fantastik, po dhe këtu është shumë bukur. Plazhe të organizuar dhe me çmime të arsyeshme, krahasuar me Italinë”, tha një turist.

Jemi nga Suedia. Vij për herë të dytë. Në 2017 isha në Sarandë. Më pëlqen këtu. Hotel i këndshëm, ujë i ngrohtë, ushqim i mirë, birrë e mirë”, u shpreh një tjetër.

“Stafi në hotel shumë miqësor, ushqim shumë i mirë dhe diell fantastik. Kaq mjafton”, tha turistja.

Edhe shumë të rinj e familje shqiptare që jetojnë e punojnë jashtë vendit janë kthyer për pushime në atdhe.

“Në Durrës është super fare. Me shokët këtu për qejf. Kemi ardhur me familjen. Vij nga Londra. Ua rekomandoj, ejani në Golem”,  “jetoj në Itali, po vij këtu çdo vit se është plazhi i zemrës, Golemi”, “edhe unë kam lindur në Tiranë po jetoj në New York City. Vij një herë në 2-3 vjet se kushton bileta, po është shumë bukur këtej”, u shprehën ata.

Çmimet në plazh konsiderohen të pranueshme krahasuar me vendet ku këta pushues jetojnë.

“Janë rritur, po më mirë se në Itali janë. Ia vlen.” “Po ta krahasosh me New York dhe pse janë rritur pak prapë OK.”

Më shumë se një destinacion turistik, Durrësi ofron një përvojë të bukur pushimesh aktive që ndërthurin plazhin me historinë, kulturën dhe mundësinë për aktivitete të ndryshme në zonat kodrinore përreth.

Top Channel

SHKARKO APP