Gjergj Luca gjatë pritjes së Altinit të “Mrizit të Zanave”, i kërkoi Blendi Gonxhes arsimimin profesional të brezit të ri

Nga Albert Vataj
Edhe ata që mbajnë mbi supe peshën e rëndë të biznesit, që matin ditët me përgjegjësi dhe netët me vendime, gjejnë kohë për t’u kthyer tek ajo që i frymëzon më shumë, familja dhe miqtë. Janë këta, rrënjët dhe dritat e brendshme të njeriut, që i japin kuptim suksesit dhe e bëjnë njeriun të mos harrojë pse nisi gjithçka.

Në këtë frymë, u bashkuan së fundmi në një drekë familjare dy prej figurave më përfaqësuese të sipërmarrjes shqiptare, Gjergj Luca i “Rozafës” dhe Altin Prenga i “Mrizit të Zanave”. Një takim që tejkaloi miqësinë, për t’u bërë simbol i vizionit, përkushtimit dhe dashurisë ndaj punës, traditës dhe vendit.
Në “kalanë” e tij, siç e quan me dashuri hapësirën e “Rozafës”, Gjergj Luca e priti Altin Prengën me mikpritjen që e karakterizon. Ai e prezantoi me një nga fasadat më të veçanta të ambientit, një mur që mban të gdhendur kujtesën familjare, ku shfaqen fotot e disa prej roleve të të madhit Ndrek Luca, aktorit legjendar që i dha artit shqiptar fytyrën e sakrificës dhe fisnikërisë.
Në këtë vizitë, Luca ndau gjithashtu një mesazh urimi që i kishte dërguar Kryeministri Edi Rama, në të cilin vlerësohej “roli i tij i jashtëzakonshëm për të ndërtuar sipërmarrje dhe shpresë, për të krijuar vende pune dhe mirëqenie, për të ringjallur një realitet të paimagjinueshëm mbi gërmadhat e së shkuarës”.
Një njohje që, më shumë se politike, është një dëshmi për rrugën që Luca ka ndërtuar, një rrugë besimi në punë, në përkushtim dhe në vizion. Sepse për të, gjithçka arrihet kur guxon, kur beson dhe kur punon me shpirt.
Në një çast të ngrohtë të këtij rrëfimi, Gjergj Luca i tregoi Altinit një fotografi të vjetër familjare, gjyshin dhe gjyshen e tij, figura që mbajnë në vete një histori fisnikërie e kulture.
Gjyshi nga nëna, Bej Samiu, pinjoll i një prej familjeve më të mëdha të Jugut, ishte kushëri i parë me Frashëllinjtë, ata që ndriçuan epokën e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Ndërsa gjyshja Makbule, kishte mbaruar gjimnazin Zosimea në Janinë, një ndër tempujt më të njohur të dijes në kohën e Rilindjes.
Luca vijoi të tregonte se gjyshi i tij dhe vëllai i tij kishin mbaruar studimet për diplomaci në Paris, duke bartur me vete kulturën dhe frymën europiane të brezit të Rilindësve. Me një buzëqeshje të lehtë, ai shtoi edhe një detaj që i dha ngjyrë bisedës: gjyshi i tij kishte qenë sozia e Mbretit Zog.
Në këtë takim të dy sipërmarrësve që kanë kthyer punën në filozofi jetese, rrëfimi i Lucës tingëlloi si një kujtesë e fortë: suksesi nuk ndërtohet mbi ambicie, por mbi rrënjë, mbi kujtesë, mbi përulësinë ndaj atyre që ishin para nesh.
Një drekë familjare që u shndërrua në një leksion jete për bashkëpunim, trashëgimi dhe mirënjohje.
Në postimin e tij video, të shpërndarë në rrjetet sociale, Gjergj Luca ndalet për një çast tek kujtesa dhe trashëgimia. “Ndërsa i evokoj Altinit historinë e familjes sime…”, shkruan ai, duke e kthyer bisedën me mikun e tij në një reflektim për rrënjët, për përvojën dhe për detyrën që mbart çdo njeri që ndërton me ndershmëri.
Por ky rrëfim personal shndërrohet menjëherë në një thirrje me përgjegjësi publike. “I bëjmë një thirrje bashkë ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhja, thotë Luca, nëse do që turizmi dhe mikpritja të lulëzojnë në këtë vend, na i lër në dorë ne sipërmarrësve arsimimin e brezit të ri…”
Kjo nuk ishte një deklaratë thjesht retorike, por një ftesë konkrete për bashkëpunim mes sektorit publik dhe atij privat, një kërkesë që përçon thelbin e filozofisë së tij: për të ndërtuar një Shqipëri të qëndrueshme, duhen duart e atyre që e punojnë çdo ditë këtë tokë, që e njohin tregun, njerëzit, shijen, mundin dhe dinjitetin e punës.
Duke iu drejtuar ministrit Gonxhja, Luca kërkoi që sipërmarrjet private të shndërrohen në shkolla të vërteta të gjeneratës së re, aty ku të rinjtë do të mësojnë jo nga librat, por nga jeta, nga përvoja e atyre që kanë dështuar dhe kanë ringritur, nga ata që kanë kthyer ëndrrat e vogla në histori suksesi.
Ai premtoi të ofrojë ambientet, përvojën dhe leksionet e tij personale, për t’u dhënë të rinjve mundësinë të njohin realitetin e turizmit dhe sipërmarrjes në mënyrë të drejtpërdrejtë.
“Duhet ta bëjmë këtë,”, shtoi ai, “për të promovuar jo vetëm shërbimin shqiptar, por edhe produktet shqiptare, ato ‘Made in Albania’, që janë fytyra e vërtetë e vendit tonë.”
Në këtë vizion, ai nuk sheh turizmin si një industri të thjeshtë shërbimi, por si një zinxhir të gjallë që bashkon fermerin, prodhuesin, artizanin, kuzhinierin, hotelierin dhe vizitorin, duke krijuar një ekosistem zhvillimi që ushqehet me punë, dije dhe dashuri për vendin.
Luca shprehu gadishmërinë e tij dhe të shumë sipërmarrësve që ndajnë të njëjtin ideal për të kultivuar një brez të ri profesionistësh, që do ta çojnë më tej turizmin shqiptar, jo vetëm si kapacitet ekonomik e progres financiar, por si garanci e një turizmi elitar, që ndërton identitet, kulturë dhe prestigj kombëtar.
Në këtë thirrje, nën zërin e një biznesmeni që flet me gjuhën e zemrës, ndjehej bindja e thellë se arsimi i duhur dhe puna e ndershme janë çelësi i çdo rilindjeje të vërtetë. Dhe ndoshta, në këtë bashkëbisedim mes Gjergj Lucës e Altin Prengës, u dëgjua më shumë se një ide për turizmin, u dëgjua një vizion për Shqipërinë që punon, që mëson, që rritet dhe beson.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?