Gjergj Luca: “Katunarët me NIPT fiskal”, që bujku të bëhet përfitues fondesh dhe faktor zhvillimi ekonomik
Albert Vataj
Gjergj Luca u ka bërë një thirrje të drejtpërdrejtë dhe këmbëngulëse bujqve shqiptarë që të fiskalizojnë aktivitetin e tyre ekonomik, si kusht thelbësor për të përfituar nga subvencionet e qeverisë shqiptare, fondet e Bashkimit Evropian dhe donacionet e zhvillimit rural. Sipas tij, i gjithë sekreti i zhvillimit ekonomik qëndron te fiskalizimi, sepse vetëm përmes tij ekonomia rurale mund të shndërrohet nga një aktivitet informal mbijetese në një sipërmarrje të strukturuar, të mbështetur dhe me perspektivë afatgjatë.
“Katunarët me NIPT fiskal” – thekson Luca – nuk është një slogan, por një domosdoshmëri zhvillimi. Vetëm përmes formalizimit të aktivitetit, puna, mundi dhe përpjekja e bujqve marrin vlerën që u takon dhe shndërrohen në kapital ekonomik të mbështetur nga shteti dhe nga Evropa. Bujqësia, sipas tij, është një nga hallkat më të rëndësishme të ekonomisë shqiptare, por mbetet e nënvlerësuar për shkak të informalitetit që e pengon të përfitojë nga politikat mbështetëse.
“Nga Lushnja, teksa vizitoj motrën time duarartë, ju bëj thirrje: fiskalizoni bujkun, ndihmoni ekonominë, jepuni atyre subvencionet e Evropës! Dashuria për atdheun fillon nga bujqësia…” – shkruan Luca në postimin video të shpërndarë në rrjetet sociale.
Në këtë video, të xhiruar gjatë vizitës në një nga pikat e grumbullimit të produkteve bujqësore në Lushnjë, Luca vë theksin te nevoja për rivlerësimin dhe fuqizimin e sektorit bujqësor, një proces që, sipas tij, nuk mund të ndodhë pa i dhënë fund informalitetit, si në nivel sipërmarrjeje ashtu edhe si aktivitet prodhues e zhvillues.
Ai sjell si shembull konkret sektorin e peshkimit dhe akuakulturës, i cili, falë lobimit për nxjerrjen nga informaliteti dhe përfshirjen në skemën e fiskalizimit, u shndërrua në një nga gjeneratorët më të fuqishëm të sipërmarrjes shqiptare. Përmes fiskalizimit, shteti jo vetëm që arriti të monitorojë zhvillimin e këtij sektori, por edhe ta subvencionojë dhe ta mbështesë realisht në procesin e mëkëmbjes dhe fuqizimit të tij.
Të njëjtën qasje Luca kërkon ta shohë të zbatuar edhe në bujqësi, në mënyrë që ky sektor të shndërrohet në një zë real dhe me peshë në zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas tij, prodhimi vendas dhe ekonomia rurale duhet të trajtohen si një fuqi prodhuese strategjike, që jo vetëm siguron ushqimin dhe qëndrueshmërinë ekonomike, por edhe krijon themelet e një zhvillimi të drejtë dhe të qëndrueshëm kombëtar.
KOHA JONË SONDAZH

