Gjergj Luca në Fish City me nxënësit e Hoteleri-Turizëm: “Falini dashuri punës që të bëheni më të mirë”

Nga Albert Vataj
Në Fish City, Labinot-Fushë, Elbasan, aty ku ndërthuren qetësia e natyrës me dinamizmin e punës, aty ky një qytet i lindur nga asgjëja e të shkuarës është shndërruar në një model investimi dhe përkushtimi për të fuqizuar Rozafën, duke e kthyer në një kompani lider, sot u zhvillua një takim i veçantë: Shkolla e Mesme Hoteleri-Turizëm e Tiranës ishte mysafirja e radhës e sipërmarrësit Gjergj Luca.

“Falini dashuri punës”, – ky ishte mesazhi themelor me të cilin Luca nisi komunikimin e tij me mysafirët e veçantë. E tha me bindjen e atij që e njeh peshën e sakrificës, por edhe shpërblimin e saj. Sepse këta nxënës, që sot mësuan, dëgjuan dhe panë nga afër si ndërtohet një sukses, nesër do të jenë në vijën e parë të industrisë së hoteleri–turizmit, një nga shtyllat më dinamike të ekonomisë shqiptare.
Dhe vështirë të gjendej një shembull më i goditur se ky për t’u treguar atyre se sa larg çon përkushtimi. Luca zgjodhi të prezantonte pikërisht produktin e tij të ri açugen “Made by Roza”, një udhëtim pune që ka kërkuar tre vite, përkushtim dhe pasion të pandërprerë. Ai u shpjegoi nxënësve çdo hallkë të këtij procesi, nga zënia në det, te teknikat e përpunimit, etika e punës dhe standardet që kërkon tregu modern.
“U desh që të punonim plot tre vjet me dashuri, që ky produkt të dilte në treg. Tani është radha t’ua mësojmë dhe t’ua trashëgojmë këto punë të mira juve, nxënësve të shkollës profesionale të projektit zvicerian EHL”, – theksoi ai, duke vlerësuar punën e mësuesit Redi Pojanaku dhe gjithë ekipit pedagogjik që po ndërton një traditë të re profesionalizmi.
Takimi ishte jo vetëm një prezantim, por edhe një mësim i gjallë. Një leksion i hapur mbi etikën e punës, mbi besimin tek vetja dhe tek procesi. Luca i kujtoi nxënësve se puna nuk mjafton të kryhet – ajo duhet dashur. Puna kërkon përkushtim, kërkon vëmendje, kërkon investim shpirtëror. Dhe sa më herët ta kuptojnë këtë, aq më të zotë do të jenë në rrugën që kanë zgjedhur.
Ky takim në Fish City ishte më shumë se një vizitë shkollore; ishte një frymëzim. Ishte një mesazh për brezin e ri, për ata që do të mbajnë mbi supe të ardhmen e turizmit shqiptar dhe imazhin mikpritës të Shqipërisë së Evropës së nesërme. Ishte një dëshmi se suksesi ndërtohet hap pas hapi, me durim, me dije dhe mbi të gjitha me dashuri për punën.
Në mbyllje, Gjergj Luca bëri edhe një premtim konkret: nxënësit më të dalluar të Shkollës së Mesme Hoteleri–Turizëm do të kenë mundësinë të kryejnë praktikën profesionale në restorantet “Rozafa”, një shans i çmuar për t’u konfrontuar me standardet e larta të industrisë dhe për të rritur horizontin e tyre profesional.
Një ditë e thjeshtë në dukje, por e palëkundshme në vlerë, një gur i vogël themeli për të ardhmen e këtyre të rinjve, të cilët sot panë nga afër se si dashuria për punën mund të kthehet në histori suksesi.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?