Gjergj Luca: Në qershor ju pres në kompleksin më të ri tregtar dhe argëtues “Apollonia Rozafa”
Nga Albert Vataj
Sipërmarrësi Gjergj Luca ka ndarë së fundmi, përmes një daljeje publike në rrjetet sociale, ecurinë e punimeve për kompleksin më të ri tregtar dhe argëtues “Apollonia Rozafa”, që po ngrihet në një nga nyjet më të rëndësishme lidhëse mes Fierit dhe Vlorës. Ky projekt, sipas vetë Lucës, nuk përfaqëson thjesht një investim të radhës në infrastrukturë tregtare, por një vizion më të gjerë zhvillimi ekonomik, social dhe kulturor, të ndërtuar mbi filozofinë e punës, qëndrueshmërisë dhe besimit te prodhimi vendas.
Në prezantimin e tij, Luca e ka përkufizuar këtë sipërmarrje si një hap të vendosur drejt fuqizimit të ekonomisë rurale, duke krijuar ura të reja bashkëpunimi mes prodhuesve vendas, fermerëve dhe tregut modern. Ai e sheh “Apollonia Rozafa” si një hapësirë ku puna e tokës, mundi i fermerit dhe cilësia e prodhimeve “Made in Albania” marrin jo vetëm vlerë ekonomike, por edhe dinjitet publik.
Me një gjuhë simbolike dhe motivuese, Luca ka ndarë edhe filozofinë personale që e shoqëron në rrugëtimin e tij sipërmarrës:
“Japonezët kanë një shprehje nxitëse: sa më i fortë tërmeti, aq më shumë avancon shkenca e ndërtimtarisë.
Edhe unë, si puna e japonezëve jam: sa më të forta sharjet dhe fyerjet, aq më shumë avancojnë investimet.
Në qershor ju pres në kompleksin më të ri tregtar dhe argëtues ‘Apollonia Rozafa’, aty ku kryqëzohen rrugët mes Fierit dhe Vlorës.”
Kjo deklaratë, përtej ironisë dhe sfidës, reflekton një qëndrim të qartë, vështirësitë, kritikat apo pengesat nuk janë arsye për t’u ndalur, por nxitje për të ecur përpara me më shumë vendosmëri.
“Apollonia Rozafa” synon të jetë më shumë se një qendër tregtare apo argëtuese. Projekti parashikon integrimin e drejtpërdrejtë të prodhimeve bujqësore dhe blegtorale vendase, duke u dhënë fermerëve një hapësirë më të drejtë dhe më të organizuar për tregtimin e produkteve të tyre. Në këtë mënyrë, kompleksi synon të shndërrohet në një platformë reale promovimi për prodhimin shqiptar, duke forcuar lidhjen mes konsumatorit dhe burimit të prodhimit.
Gjatë inspektimit të fundit të punimeve, Luca u shoqërua jo vetëm nga inxhinierë dhe konstruktorë, por edhe nga skulptorë dhe piktorë, duke treguar se kjo sipërmarrje po konceptohet si një hapësirë ku ekonomia ndërthuret me artin dhe vlera shpirtërore. Sipas tij, madhështia e projektit nuk matet vetëm me beton, çelik dhe metra katrorë, por me frymën kulturore dhe identitare që do ta veshë këtë kompleks.
Me përfundimin e parashikuar në muajin qershor, “Apollonia Rozafa” pritet të shndërrohet në një pikë referimi jo vetëm për tregtinë dhe argëtimin, por edhe për zhvillimin ekonomik të gjithë zonës. Një projekt që synon të japë shembull se si investimi privat mund të shërbejë si motor zhvillimi, duke promovuar punën, djersën dhe dinjitetin e bujqve shqiptarë, si dhe duke i dhënë ekonomisë vendase një hapësirë të re frymëmarrjeje dhe rritjeje.
KOHA JONË SONDAZH

