Gjergj Luca nga Praga: Të përpiqemi së bashku t’i përkasim atij qytetërimi që jemi dhe e meritojmë

Nga Albert Vataj
Gjergj Luca rikthehet me një tjetër mesazh të fortë publik, duke artikuluar qartë bindjen e tij për rrugën europiane të Shqipërisë dhe për përgjegjësinë që politika dhe shoqëria duhet të marrin mbi vete.

Nga një prej shesheve më simbolike të Pragës, ai e lidh memorien historike të qytetërimit europian me sfidat aktuale të vendit tonë.
Në mesazhin e tij, Luca thekson se identiteti europian i shqiptarëve nuk është aspiratë e re, por pjesë e një kontinuiteti historik dhe civilizues që për fat të keq, në një hark të gjatë kohor, është ndërprerë.
“Ne kemi qenë pjesë e këtij qytetërimi europian. Për 600 vjet kemi humbur busullën. Të luftojmë të gjithë bashkë për t’u rikthyer në vendin që ne meritojmë”, – shprehet ai.

Sipas Lucas, debati për integrimin nuk duhet reduktuar vetëm në procedura teknike apo në negociata politike. Bëhet fjalë, para së gjithash, për një proces ndërgjegjësimi, për përvetësimin e standardeve, etikës publike, përgjegjshmërisë dhe kulturës qytetare që e kanë bërë Evropën hapësirë të lirisë, zhvillimit dhe stabilitetit.
Ai nënvizon se shqiptarët nuk kanë nevojë të mburren, por të dëshmojnë me vepra se i përkasin këtij qytetërimi: Të përpiqemi të gjithë së bashku që të jemi pjesë e Evropës jo vetëm në hartë, por edhe në pasurinë shpirtërore, në vetëdijen për të drejtat dhe detyrimet tona, në meritën për të synuar atë që na takon.

Në këtë kontekst, Luca e cilëson brezin e sotëm si më me fatin historik: brezi që ka mundësinë reale të korrigjojë padrejtësitë e së kaluarës dhe të vendosë Shqipërinë në stacionin e vet natyral, brenda familjes europiane.
Ai fton për bashkim energjish, për bashkëpunim shoqëror dhe për tejkalim të interesave të ngushta, duke e parë integrimin jo si shpërblim politik, por si kurorëzim të një përpjekjeje të gjatë për progres, kulturë dhe dinjitet kombëtar.
Në fund, mesazhi i Lucas mbetet i qartë: Evropa nuk është një ëndërr e huaj; ajo është shtëpia ku kemi rrënjë kulturore e shpirtërore, dhe është përgjegjësia jonë që ta meritojmë atë përmes reformës, qytetarisë dhe vizionit afatgjatë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?