Gjergj Luca prezanton fabrikën e re: Ju merruni me tallavanë politike, unë po merrem me punë

Nga Albert Vataj
Në Shqipërinë ku zhurma politike shpesh e kapërcen zërin e arsyes, sipërmarrësi Gjergj Luca kthehet sërish në skenë me një mesazh të qartë dhe një investim të prekshëm. “Punoni, o njerëz, jo vetëm të merreni me tallava”, është thirrja e tij e vazhdueshme, një thirrje që këtë herë shoqërohet me prezantimin e një fabrike të re, një hallkë tjetër në zinxhirin e zhvillimit të kompanisë “Rozafa”.

Luca nuk i kursen thumbat. “Ju merruni me tallavanë politike, unë merrem me punë”, thotë ai, duke goditur drejtpërdrejt klimën e stuhishme mediatike, debatin e pafund politik, zhurmën që prodhon pak e pengon shumë. E ndërsa studiot televizive gëlojnë me panele, përplasje e komente që rrotullohen rreth të njëjtave histori, ai vijon të shtojë kapacitete, të ndërtojë impiante, të krijojë vende pune dhe të ngrejë standarde.

Fabrika e re e “Rozafës” është një tjetër provë se ku e ka mendjen dhe energjinë Luca. Investim i radhës jo vetëm për të fuqizuar pozicionin dominues të kompanisë në industrinë shqiptare të përpunimit të peshkut, por edhe për ta shtrirë ndikimin në rang rajonal. Synimi është i qartë: jo vetëm e para në Shqipëri, por një ndër më të mirat në Ballkan dhe konkurruese e denjë në tregjet evropiane.

“E kam futur Shqipërinë në Evropë përmes punës, më shpejt sesa klasa politike me premtime”, shprehet ai, duke artikuluar një kritikë të heshtur, por të mprehtë, ndaj dialogut të lodhshëm politik që prej vitesh endet nëpër studio dhe procese të bllokuara. Në vend të pazareve të pafundme për reforma, Luca ka zgjedhur të ndërtojë ura konkrete: besim, prodhim, standarde dhe integrim ekonomik.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në videon prezantuese të impiantit të ri, ai tregon autoklavat moderne dhe prezanton specialistin bullgar që i është bashkuar ekipit të “Rozafës” për të vënë në punë teknologjinë e re. Ky detaj, për të, flet më shumë se dhjetëra slogane politike: vlerën e bashkëpunimit, rëndësinë e ekspertizës dhe domosdoshmërinë e hapjes ndaj Evropës.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mes humorit të tij karakteristik, Luca nuk lë pa bërë ironi ndaj etheve të përditshme mediatike:
“Oooooo milet, çfarë u bë me Belindën, kemi ndonjë thashethem tjetër ngjyrë blu? Po lerini njerëzit të punojnë… Shikoni Bullgarinë ku ishte dhe ku është! Urgjent të hipim në trenin evropian — se llafet e politikës të mbushin gojën, por ta zbrazin stomakun.”

Mesazhi i tij kulmon me një refren që tingëllon si manifest personal:
“Vazhdoni merruni me tallavanë politike dhe mos u merrni me punë. Rroftë puna, rroftë e vërteta, rroftë Evropa! Ne jemi të zënë me punë — mos harroni t’i jepni tallavasë…”

Në një vend ku shpesh debati zëvendëson punën, Gjergj Luca propozon një paradigëm tjetër: më pak fjalë, më shumë punë. Më pak tallava, më shumë industri. Më pak politikë, më shumë Evropë.
Dhe këtë nuk e thotë vetëm — e provon, me punë dhe përkushtim, investime dhe standarde kapacitetesh të zhvillimit ekonomik.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?