Gjergj Luca tregon Fish City-n, ëndrrën e tij të përmbushur, dhe na fton ta bëjmë Shqipërinë një ëndërr të të gjithëve

Nga Albert Vataj

Ka njerëz që protestojnë kundër asaj që nuk duan të shohin të ndodhë, dhe ka të tjerë që ndërtojnë atë që duan të shohin të bëhet realitet. Gjergj Luca zgjodhi të flasë përmes një vepre konkrete, duke sjellë para publikut historinë e Fish City-t, një projekt që ai e konsideron jo vetëm suksesin e tij personal, por dëshminë se ëndrrat mund të marrin formë edhe aty ku dikur kishte vetëm rrënim, harresë dhe mungesë shprese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Përmes një rrëfimi të sinqertë dhe pamjeve që tregojnë transformimin e një territori të lënë pas dore në Labinot-Fushë të Elbasanit, Luca na fton të shohim përtej debatit të ditës dhe të reflektojmë mbi atë që ndërton të ardhmen: investimin, punën, besimin dhe guximin për të krijuar. Fish City shfaqet si simbol i një ëndrre të përmbushur, por edhe si një metaforë e Shqipërisë që mund të bëhet, nëse energjitë, kapitali dhe vizioni bashkohen për t’i dhënë jetë mundësive që presin të zgjohen.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mesazhi i tij është i qartë: në vend që të mbetemi peng të mosbesimit dhe kundërshtive, le të përpiqemi ta bëjmë Shqipërinë një ëndërr të përbashkët, ku zhvillimi, punësimi dhe mirëqenia të mos jenë premtime, por realitete të prekshme për të gjithë.

Shembulli konkret përballë polemikave

Sipërmarrësi Gjergj Luca ka shprehur publikisht qëndrimin e tij lidhur met valën e protestave që kanë shoqëruar ditët e fundit jetën publike në vend, duke zgjedhur të përgjigjet jo me polemika, por me atë që e konsideron argumentin më bindës: shembullin konkret të investimit dhe të transformimit.

Përmes një komunikimi të shoqëruar me pamje filmike nga Fish City në Labinot-Fushë, Luca ka rikthyer në vëmendje historinë e një territori të lënë për vite me radhë në harresë, i cili është shndërruar nga një hapësirë e rrënuar dhe pa perspektivë, në një qendër aktiviteti ekonomik, punësimi dhe zhvillimi — një oaz paqeje dhe një atraksion unik turistik.

“Mua nuk më trembin protestat, mua më trembin ëndrrat që nuk realizohen”, shkruan ai, duke theksuar se çdo centimetër i kësaj sipërmarrjeje është ngritur mbi bazën e pronësisë së ligjshme, dokumentacionit të rregullt dhe investimeve të kryera përmes sistemit bankar.

Për Lucën, vlera e një investimi nuk matet vetëm me kapitalin e hedhur, por me aftësinë për t’i rikthyer jetën vendeve të braktisura dhe për t’u dhënë atyre një funksion të ri ekonomik e shoqëror. Në mesazhin e tij, ai nënvizon se nuk ka zgjedhur të investojë në zonat bregdetare, aty ku interesi ekonomik është natyrshëm më i madh dhe fitimi më i sigurt. Përkundrazi, ai pohon se ka orientuar energjinë dhe kapitalin drejt zonave të lëna jashtë vëmendjes, duke u përpjekur të krijojë modele zhvillimi aty ku mungesa e investimeve kishte prodhuar stagnim dhe shpopullim.

“Qyteti më i ri në botë” si kundërhypotezë

Duke marrë shkas nga protestat që prej ditësh kanë mbushur bulevardet e kryeqytetit dhe kanë gjetur jehonë edhe në qytete të tjera, brenda dhe jashtë vendit ku jetojnë shqiptarë, Luca ka zgjedhur të sjellë si kundërargument jo hipoteza, por rezultate të prekshme. Ai e paraqet Fish City-n jo si një projekt të zakonshëm biznesi, bllok dëshmi të asaj që mund të arrihet kur vizioni shoqërohet me këmbëngulje, punë dhe besim.

Në videon e publikuar, ai paraqet hap pas hapi transformimin e zonës, nga një hapësirë e rrënuar dhe pa funksion ekonomik, në atë që e quan “qyteti më i ri në botë” — një kompleks që sot përfaqëson vende pune, aktivitet tregtar, turizëm dhe gjallërim ekonomik për komunitetin përreth. Përmes krahasimit mes së kaluarës dhe së tashmes, ai kërkon të tregojë se zhvillimi nuk është një nocion abstrakt, por një proces konkret që lë gjurmë të dukshme në jetën e njerëzve.

Luca shkon edhe më tej në reflektimin e tij. Ai kujton se i përket brezit të parë të sipërmarrësve që u formuan pas ndryshimeve politike në Shqipëri dhe shtron një pyetje provokuese: nëse një sipërmarrës me mundësi modeste ka arritur të realizojë një transformim të tillë, çfarë mund të bëjnë investitorë me përvojë shumë më të madhe ndërkombëtare, me kapital të konsiderueshëm dhe traditë të gjatë biznesi?

Sfidat e mëdha dhe vizioni i zhvillimit

Në këtë kuadër, ai përmend projektet e mundshme të investimit në zonat e Zvërnecit dhe Sazanit, duke argumentuar se Shqipëria ka nevojë për iniciativa të mëdha zhvillimi që tërheqin kapital, krijojnë punësim, rrisin mirëqenien dhe e pozicionojnë vendin në hartën e turizmit elitar ndërkombëtar. Sipas tij, investimet nuk duhet parë si kërcënim, por si mundësi për të prodhuar pasuri, imazh pozitiv dhe perspektivë për brezat që vijnë.

Mesazhi i Lucës mbetet një thirrje për ta parë zhvillimin përmes rezultateve konkrete dhe jo përmes paragjykimeve ideologjike. Në thelb të qëndrimit të tij qëndron bindja se vendi ka nevojë për më shumë ëndrra që realizohen, më shumë projekte që marrin formë dhe më shumë energji të orientuar drejt ndërtimit sesa drejt bllokimit.

Në fund të komunikimit të tij, sipërmarrësi zgjedh ta mbyllë me një ton të lehtë e miqësor:

“Të dielë të mbarë ju uroj. Sot mos shani, bëjeni pushim!”

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?