Albina Gjergji: Lumturia jeme, s’ka zgjatë kurrë shumë !
Deshta me ba nji poezi
Deshta me ba nji poezi
Për ty…
Por rasat
Më janë ngatërrue
E kohët,
mënyrat po ashtu.
Për shembull…
Emnat më janë
Ba folje
E foljet mbiemra
S’di se ku!
Drue se gaboj, n’se t’them
“Ti. Gjymtyrë kryesore e fjalisë”
Prandej, po hesht ma mirë
Në respekt të gjuhës, edhe gramatikisht.
Unë
Ti.
Bukur
(S)duhena
Larg
Dashni
Udhëtojmë..
Ncuk “Ajo” !
Ne.
He dreq…
Deshta me ba nji poezi
Për ty
Por rasat
Më janë ngatërrue
E kohët po ashtu.( Albina Gjergji)
Erdhe n’ikje!
Erdhe n’ikje!
Si shiu i verës,
Ma shumë e ndeze
Tokën e thatë
T’etun për kohë.
Ike në ardhje!
Si agu me mjegull
Mirëmëngjesesh larg
Pëshëndetemi nesër…
Mes vesës!
Unë po të lë këtë mesazh tani
“Avioni niset në 12 pa 20” !
Se… ku i dihet shpirt
Ndoshta kur t’vish ti
Mund të kem ikë unë
E kur t’vij unë,
Mund t’kesh ikë ti…
Pra, natën e mirë dita jeme!
Biletë me vajtje, pa ardhje hapësire
Zhubrosun mes mallit
U vargëzove ngutshëm
Në xhaketën e kuqe të zemrës sime.
Lumturia jeme
S’ka zgjatë kurrë shumë !
Lumturia jeme
S’ka zgjatë kurrë shumë !
Maksimumi helikash ka fluturue
Nën nji qiell .
Mbi re .
Djathtas diell .
E në pranga Ne…
Që numërojmë
Rrotullimet e mullinit
të kohës .
Tue na shtrydhë
E vullnetesh ndrydhë…
Paj, unë s’i druhem
turbulencave të Qiellit, jo!
As Reve që vetullash errësohen
Në vizatimet me laps.
Patjetër… as Diellit s’kam se si
Se bash Ai në mue
Skalitë ka shpirtin që ringrihet
Përmbî .
E pra, mue Zoti
Mund të mos ma dhurojë
lumturinë e plotë sikurse juve
Por Diejt e Qiejtë
bekue më kanë
Me aftësinë me dashtë
Edhe pa pasë…
albina gjergji
Me mujt’ me e dashtë në kohën e tashme,
Me mujt’
me e dashtë
në kohën e tashme,
kryefjalën e mendimeve të mia!
Asgjâ s’i kisha kërkue tjetër gegnishtes tande.
As për tosk’nishten “s’do doja t’ia dija”!
Me mujt’
Me e futë Paskajoren “me dashtë”
në kohën e pa kohë të çdo kohe në “T’due”…
Sa bukur kishte me kénë!
…se
ME DASHTË
pa përcaktue vend
nuk ka nevojë për kohë.
As për folje ndihmëse,
as për fjali t’përbâme.
Duhet vetëm numri njàjës,
mbushë me dashni
Kryefjalë…
UNË,
TI
në NJI!
Me mujt’
Me e dashtë
n’gegnisht
t’u‘j e njoftë si gjuhë e jo si dialekt
paskajorja kishte me n’a lejue me kénë bashkë gjithmonë.
Me t’dashtë
E me m’dashtë!
Edhe At’ Fishta kishte me n’a bekue…
n’PASKAJORE!
(albina gjergji)