Të vërtetat e Vjosa Osmanit, sonte në 20:45 në Çim Peka Live, SyriTV
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, një nga figurat më të spikatura të politikës shqiptare në hapësirën mbarëkombëtare, është shndërruar në këto ditë në qendrën e gravitetit të debatit politik në Kosovë dhe më gjerë. Vendimi i saj për të shpërndarë Parlamentin e dalë nga zgjedhjet – një akt i fortë institucional i diktuar nga pamundësia për të siguruar kuorumin e domosdoshëm për procedurën kushtetuese të zgjedhjes së kreut të shtetit – ka hapur një kapitull të ri tensioni dhe pasigurie në jetën politike të Kosovës.
Ky vendim, që tashmë po komentohet si një nga ndërhyrjet më të forta institucionale të viteve të fundit, e ka futur skenën politike kosovare në një spirale të ndërlikuar krize, ku përplasja mes legjitimitetit politik dhe mekanizmave kushtetues rrezikon të prodhojë një cikël të ri bllokimesh. Nëse kjo lëvizje nuk përmbyset nga vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese, ajo jo vetëm që mund ta çojë vendin drejt zgjedhjeve të reja, por mund të ekspozojë edhe një plagë më të thellë të sistemit politik: pamundësinë kronike për të ndërtuar konsensusin e domosdoshëm parlamentar për funksionimin normal të shtetit.
Në këtë sfond të trazuar politik, ku çdo zhvillim interpretohet si një lëvizje strategjike në një lojë të ndërlikuar pushteti, fjala e presidentes merr peshë të veçantë. Çfarë e shtyu drejt këtij vendimi? Cilat janë arsyet kushtetuese dhe politike që qëndrojnë pas tij? A është ky një akt për të zhbllokuar sistemin apo një hap që rrezikon ta thellojë krizën?
Për të hedhur dritë mbi këtë terren të errët politik, për të kërkuar një shteg shprese në fund të tunelit ku duket se ka mbetur e ngërthyer politika kosovare, për të shpalosur alternativat dhe për të shpjeguar rrethanat në të cilat u thye konsensusi politik e parlamentar, Vjosa Osmani do të jetë sonte në orën 20:45 në studion e emisionit Çim Peka Live.
Një përballje e drejtpërdrejtë me pyetjet e kohës, një rrëfim politik në një moment kur Kosova ndodhet përballë një udhëkryqi institucional dhe një mundësi për të dëgjuar nga vetë protagonistja argumentet, dilemat dhe vizionin për daljen nga kriza.
AV
KOHA JONË SONDAZH

