Fituesit e Vitit 2016/ Ilir Meta, Behgjet Pacolli, Armand Shkullaku, Ylli Rakipi

Mbi një muaj rrjesht redaksia e Gazetës “Koha Jone” në online: www.kohajone.com organizoi sondazhin ku votuan dhjetra mijëra lexues. Pyetja e sondazhit ishte:

Kush është Politikani i Vitit, Gazetari i Vitit, Moderatori televiziv i Vitit dhe Biznesmeni Vitit 2016?

Në fund, dje me datë 29 dhjetor 2016 u shpallën fitues si me poshtë:

Ilir Meta, Politikani i Vitit

met

Pse Ilir Meta? Sepse duhej Ilir Meta! Të paktën kështu menduan mijëra lexues të “Koha Jonë”, të cilët votuan për mbi një muaj dhe e shpallën Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë si politikanin e vitit në Tiranë. Sipas tyre, 2016-a, një vit përpara sprovës së përgjithshme elektorale, ishte vit i shënjuar më së shumti prej tij.
Si rregull, vendimi popullor, edhe kur ai është një sondazh gazete, nuk kundërshtohet, por vetëm komentohet. Dhe ne si redaksi thjesht po tentojmë të gjejmë arsyet se pse në Tropojë, Tiranë ,Tepelenë a kudo, lexuesit tanë i dhanë votën Metës. Me gjasë edhe pa qenë anëtarë apo simpatizantë të partisë së tij. Ndoshta, edhe pse emri i tij afron diçka më shumë se vendi që zë në spektrin politik, më shumë se Lëvizja politike që përfaqëson nën siglën e LSI-së.
LSI është partia e tretë e rëndësishme e vendit. Ajo ishte arsyeja e vetme që i dha të djathtës së Doktor Berishës një mandat të dytë në 2009-ën dhe shkaku kryesor i ardhjes në pushtet i të majtës për mandatin e parë të Edi Ramës.
Me të gjitha llogaritë e numrave është edhe kushti i parë dhe i vetëm për emrin dhe ngjyrën e shumicës së nesërme qeverisëse. Deri këtu nuk ka asgjë të re apo diçka të vështirë për t’u kuptuar. E rëndësishme është që të kuptohet se çfarë kërkon publiku. Çfarë pret dhe çfarë mendon se meriton ai në një të nesërme të afërt.
Mes duelit të vazhdueshëm të titanëve politikë të Tiranës, që të armatosur me kazma dhe sëpata i sulen njëri-tjetrit për t’i nxjerrë njëri-tjetrit edhe gurin e themelit (dhe gjithë Shqipërisë më pas), qytetarët kanë zgjedhur të pranojnë tezën e Metës “Me qetësi dhe dashuri!”. Në një vend si Shqipëria politike, ku urrejtja dhe jo dashuria, ku kazma dhe jo lopata, ku hakmarrja dhe jo bashkëpunimi kanë qenë karburanti i gjithë politikës, Ilir Meta ngjan i panatyrshëm. Dhe pikërisht për këtë, është dhe zgjedhja e publikut të lodhur nga një tranzicion i gjatë në të cilën Fatos Rama dhe Sali Basha bashkë me Edi Nanon dhe Lulzim Berishën, kanë aksionet e tyre të shumta dhe kryesore.
Duket se qytetarët kërkojnë qetësinë, edhe pse nuk mund të gjejnë dot gjithmonë dashurinë. Politika është një e keqe e domosdoshme.
Duke gjykuar kryesisht nga ato që janë bërë në këto katër vjet që po mbyllen. 2013-a u hap me shprehjen e Edi Ramës: “Prisni se nuk keni parë gjë akoma”! dhe vazhdoi me kërkesën e Ilir Metës për konsensus sa më të gjerë të mundshëm, për sfidat më të mëdha që kalon vendi. “Prisni, se nuk keni parë gjë akoma, se frytet e konsensusit vonojnë, por nuk harrojnë”, mund të jetë martesa e lumtur politike për katër vjetët e ardhshëm.
Publiku i ka dashur gjithmonë të fortët e politikës kur e kanë qeverisur. Sa për të përmendur ca emra, e kanë dashur Zogun, Enverin, Saliun, Fatosin. Kur kanë ikur, i kanë harruar ose i kanë urryer. Sepse kanë dashur pushtetin e tyre dhe jo individët dhe mënyrën sesi ata e kanë ushtruar pushtetin. Me Ilir Metën duket se qenka ndryshe. Qetësia dhe pastaj edhe dashuria duket se janë zgjidhja e vetme në një vend të lodhur nga urrejtja dhe zhurma e pareshtur e tranzicionit me pak demokraci. Ndaj lexuesit e “Koha Jonë” votuan sot kështu, siç do të votojnë shqiptarët nesër.
Viti 2016 ishte viti i Ilir Metës.

Behxhet Pacolli, Biznesmen i Vitit 2016

pac

Biznesmeni Bexhet Pacolli është lindur më 30 gusht 1951, Marec, Prishtinë. I biri i Isës dhe Nazmijes, i dyti nga 10 fëmijët, i martuar me znj.Masha Pacolli. Prind i gjashtë fëmijëve, tri vajzave dhe tre djemve (Arbreshës, Selenës, Hanës, Isës, Diarit dhe Armanit). Edukimin fillor e ka kryer në Marec – Kosovë. Edukimi i mesëm në Prishtinë. Edukimi i lartë, 1970-1973 Instituti i Tregtisë së Jashtme Hamburg, Gjermani. Në vitin 1982-1983 ka kryer Master në Marketing dhe Menaxhment – Instituti Mösinger Zurich.
Profili profesional-eksperienca
1974-1975 Korrespondent për gjuhë të huaja dhe zëvendësdrejtor për zhvillim pranë Kombinatit të Tekstilit, Gjilan. 1976 Drejtor Komercial për zhvillim rajonal i Kompanisë “Peter Zimmer”, “Kufstein Austri”. 1977-1980 Drejtor komercial në kompaninë Interplastica Project Engineering në Morbio Inf. Zvicër. 1980-1990 Drejtor Gjeneral Interplastica Project Engineering në Morbio Inf. Zvicër. 1990 Themelues, President dhe titullar i Mabetex Project Engineering, Lugano Zvicër. 1992-2009 President i CRS-Credito per lo sviluppo e ristrutturazione, Lugano Zvicër. President i Mabco Construction, Lugano Zvicër. President i Swiss Diamond Hotel Management, Bermuda. Titullar i Korporatës Interfin Finance Londër. Titullar i Mabetex International (i shtrirë 18 vende të botës). Titullar i kompanisë së sigurimeve “Siguria”, Prishtinë. Aksionar maxhoritar në Bankën Ekonomike, Prishtinë. Titullar i Saranda Properties, Astana Kazakistan. Titullar i Sine Tempore International. Titullar i agjensionit Diamond Travel. Titullar i Nuova Bernasconi – Lugano. Anëtar i bordit në disa kompani nëpër botë.
Veprimtaritë tjera humanitare:
Sponsor kryesor i Fondacionit “Aleksandër Moisiu”. Themelues i Fondacionit dhe jetimoreve “Bambini Di Sakha”. 1993 – Themelues dhe sponsor i spitalit për strehimin dhe përkujdesjen e fëmijëve të braktisur që lindin me probleme fizike në Sakha). 1999 – Në bashkëpunim me Fondacionin “Insieme per la pace” dhe zonjën Fanfani, intervenon masivisht në ofrimin e ndihmave në Kukës, Ivangrad, për të dëbuarit nga Kosova. Mbështetje spitaleve në Kosovë me barna dhe preparate medicinave. Themelues i Fondacionit Ibrahim Kodra, Lugano. 2000-2004 – Mbështetje për ngritjen e infrastrukturës së TMK-së në Prishtinë dhe kontribut në pajisjet profesionale të saj. Mes shumë veprimtarive humanitare bie në sy, ndërmjetësimi dhe lirimi i pengjeve në Afganistan (pas një qëndrimi trejavor me sukses arrin të lirojë tre pengjet, punëtorë të OKB-së, Shqipe Hebibit, Annete Flaninghan dhe Angjilito Najan. Ndërmjetësimi dhe lirimi i gazetarit të marrë peng në Afganistan, Gabrielle Torsello. Kontribut në ndërmjetësimin dhe lirimin e 23 pengjeve koreanë në Afganistan. Lobim permanent për njohjen e Republikës së Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran etj. Pacolli ka kontribut tërësor në ndërtimin e strehimoreve dhe shtëpive për familjet skamnore; (në vazhdim e sipër. Asistencë e vazhdueshme në dërgimin për shërim jashtë vendit të dhjetëra pacientëve në vit. Asistencë sociale invalidëve dhe personave në nevojë.
Veprimi dhe angazhimi politik
Promovues dhe Themelues i Fondacionit për Rindërtimin e Kosovës, Prishtinë (FORK). Në vitin themelues i UASH, Unioni i Afaristëve Shqiptarë, Lugano. Në vitin 2004 themelues i SEED, Fondacioni për zhvillim ekonomik të Evropës Juglindore, Uashington (Fondacioni promovues dhe lobues i pavarësisë së Kosovës). Në vitin 2005 themelues i organizatës Neë Kosova Alliance, Uashington (organizatë lobuese për Pavarësinë e Kosovës, 2005-2007). Në vitin 2006 themelues dhe Kryetar i Partisë Politike Aleanca Kosova e Re, AKR (parti politike që në zgjedhjet e para në vitin 2007, renditet si partia e tretë politike në vend). Anëtar i Center for International and Strategic Studies CSIS (Qendra për Studime Strategjike Ndërkombëtare), Uashington, Këshilltar permanent i Komitetit të udhëhequr nga Henry Kissinger. Në vitin 2011 është inicues dhe nënshkrues i marrëveshjes së koncensusit politik për reformat kushtetuese dhe zgjedhore, themelues dhe President i Lëvizjes për Unionin ekonomik shqiptar dhe
 President i Republikës së Kosovës. Në vitet 2011-2014 zëvendëskryeministër i Parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përgjegjës për politikën e jashtme dhe investimet e huaja. 2012 Themelues i Lëvizjes për Unionin Ekonomik Shqiptar, së bashku me ish -Presidentët e Shqipërisë, Rexhep Meidani dhe Alfred Moisiu, Rektorë Universitetesh, personalitete të shquara nga gjithë hapësira shqiptare.
Vlerësime:
Dekoratat e TMK. Vlerësime dhe tituj nderi nga Universiteti i Teknologjisë së Roçester (Rochester). Dekorata nga AUK (Universiteti Amerikan në Kosovë). Dekoratat e larta të Shtetit të Perusë, Presidentit të Perusë. Dekorata më e lartë shtetërore e Federatës Ruse (vlerësimet në arkitekturë), qytetari i dytë i huaj pas amerikanit Armand Hammer që e merr këtë dekoratë. Qytetar nderi i Astanës, Republika e Kazakistanit. Konsull nderi global i Liberisë (2002-2007). Ambasador i Paqes (Universal Peace Federation). Kalorës i Paqes Globale i Mijëvjeçarit; dhënë nga Centro Internazionale per la Pace fra i Popoli (Qendra Ndërkombëtare për paqen mes popujve) çmim i dhënë dhe Michail Gorbaciov, Perez De Cuellar, S.S. Giovanni Paolo II, Luciano Pavarotti, Helmut Kohl, Nënë Tereza e Kalkutës, Kofi Annan, Bill Gates, etj;
Mirënjohja nga Fondacioni Nelson Mandela. Mirënjohja nga Fondacioni Clinton Global Initiative. Qytetar nderi i qytetit të Lezhës – Shqipëri. Titulli Doctor Honoris Causa nga Universiteti Europian i Tiranës. Nderohet me “Çelësin e Tiranës”. Qytetar nderi i Korçës-Shqipëri. Laureat i Gusi Peace Prize International – Manila. Qytetar nderi i Baton Rouge, Shteti I Luizianës, SHBA. Medalje nderi i Kryetarit te Community College ne Baton Rouge, Luiziana. Çelësi i qytetit të Neë Orleans, Shteti i Luizianës. Nderohet me çmimin special të Lidership-it 2014 nga Universiteti Ndërkombëtar POLIS, çmimi i dhënë vlerëson kontributin në politikën zhvillimore, në paqësimin e politikës kosovare, për idetë në krijimin e Unionit Ekonomik Kombëtar dhe kontributin humanitar. Presidenti Nishani vlerëson Behxhet Pacollin me Dekoratën “Nderi i Kombit” (2015). Mirënjohja e qytetit të Tiranës” I jepet z. Behxhet Pacolli nga Kryetari Bashkisë Lulëzim Basha (2015). Gjuhë amtare: Shqip.  Gjuhë të huaja: Anglisht, Frëngjisht, Gjermanisht, Italisht, Rusisht, Spanjisht, Serbo-Kroatisht etj.
Publikimet:
Themelues dhe botues i revistës “Albanica”. 2004 Themelues i gazetës ditore “Lajm”. 2010 Autor i librit autobiografik “Nga sfida në sfidë, Jeta e Behxhet Pacolli”. 2014 Autor i përmbledhjes me studime, artikuj mbi hapësirën mbarëkombëtare zhvillimore në fushën ekonomike, financiare etj., “Bashkimi fillon nga ekonomia”. 2014 Autor i librit dokumentar “Të lobosh për Kosovën“ libri është një përmbledhje dokumentesh, artikujsh, përjetimesh dhe komentesh mbi lobimin për njohjen e Kosovës.
 
Investime në Shqipëri:
 
Në kufi me parkun e Divjakës është projektuar të ngrihet një resort turistik 3300 metra katror. Bëhet fjalë për një resort të përmasave të mëdha, i cili ndërtohet nga biznesmeni i njohur kosovar Behgjet Pacolli.
“Plani i zhvillimit për Shqipërinë nëpërmjet “Divjaka Resort” paraqet një mundësi të jashtëzakonshme ekonomike dhe sociale për banorët e zonës dhe për vendin në tërësi. Do të krijojë stimul për sektorin e buqësisë dhe do të zhvillojë komunikimin dhe transportin. Ky resort ofron mundësi për rizhvillimin e mjedisit, duke ofruar siguri për kafshët e egra të parkut”.
Me këtë projekt Pacolli e kthen Shqipërinë në një pikë të rëndësishme turistike në Mesdhe.

Armand Shkullaku, Gazetari i Vitit 2016

shkk

Armand Shkullaku është brezi i gazetarëve të parë në vend, që në vitet ‘90 ndryshuan konceptet e vjetruara të gazetarisë së ish-diktaturës komuniste dhe vendosën kriteret e gazetarisë profesioniste. Filloi punë si gazetar në vitin 1991 në të parën gazetë të lirë dhe opozitare në Shqipëri, “Rilindja Demokratike”. Dha dorëheqjen bashkë me gjashtë gazetarë të tjerë, në fund të vitit 1992, në shenjë proteste kundër censurës së re që po instalohej nga Partia Demokratike e ardhur në pushtet. Për një periudhë të gjatë kohore, deri në vitin 1998, punoi në gazetën e parë të pavarur shqiptare, “Koha Jonë”. Në këtë gazetë, Shkullaku punoi si gazetar, redaktor, zv/kryeredaktor dhe Kryeredaktor i saj. Më pas, themeloi bashkë me një grup gazetarësh revistën e parë javore në Shqipëri, emrin e së cilës e përzgjodhi ai. Në revistën “Klan” punoi deri në vitin 2002, ku e renditi këtë media ndër periodikët më të lexuar dhe më me ndikim në vend. Më pas karriera e tij, nga shtypi i shkruar u përqëndrua te media  televizive, ku dhe këtu arriti të lërë gjurmët e profesionalizmit dhe përkushtimit. Fillimisht si drejtor i lajmeve në Televizionin Klan dhe më pas në televizione të tjera.
Në vitin 2008 deri në 2012-ën, Shkullaku themeloi dhe punoi në televizionin “Klan Kosova” në Prishtinë. Në pak vite, nën drejtimin e tij, “Klan Kosova” u kthye në një nga mediat më me influencë jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, duke u bërë një medium që me informacionet dhe temat e trajtuara afroi më shumë shqiptarët e dy vendeve. Pas përvojës së suksesshme në Prishtinë me “Klan Kosova”, Shkullaku u kthye në Tiranë, si drejtor i televizionit të ri informativ “Abc News”. Brenda pak kohësh, profesionalizmi dhe idetë e tij bënë diferencën mes “ABC News” dhe televizioneve të tjera informative.
Përveç punës së përditshme në median vizive, Shkullaku është i pranishëm në median e shkruar me shkrime, analiza dhe opinione. Rubrika e tij e përjavshme në gazetën “Mapo”, por edhe vlerësimet e publikut për pjesëmarrjen e tij në debate në media, e rendit atë në gazetarët më profesionist dhe më me ndikim në vend.
Së fundmi, Armand Shkullaku bashkë me gazetarin e analistin e mirënjohur Andi Bushati kanë themeluar portalin e suksesshëm lapsi.al

Ylli Rakipi, Moderatori i Vitit 2016

rak

Emisioni “Të Paekspozuarit” i drejtuar nga gazetari Ylli Rakipi është një nga emisionet që brenda pak kohësh arriti të krijojë një profil ndryshe në tregun televiziv shqiptar. Gazetari Ylli Rakipi ia arriti me sukses që të ndryshojë skemat e emisioneve me formate standarde, duke futur element të gazetarisë investigative. Emisioni është aktualisht në sezonin e tij të tretë dhe transmetohet çdo të enjte në orën 20:45, në televizionin “News24”. “Të Paekspozuarit” në këto tre sezone ka arritur të dominojë tregun mediatik dhe është konsoliduar si emisioni më oponent i pushtetit. Emisioni ka përfshirë personazhe shumë të rëndësishëm të jetës publike dhe politike të vendit dhe ka trajtuar tema me interes të gjerë për publikun duke ekspozuar afera korruptive të pushtetit. Moderatori Rakipi, ka sjellë në Shqipëri një stil krejt origjinal të moderimit duke e bërë emisionin mjaft atraktiv për të gjitha kategoritë e shikuesve. Ylli Rakipi është një emër i njohur i medias vizive dhe asaj të shkruar në vend. Karriera e tij ka nisur në vitet e para në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Drita”. Në vitin 1992 ka qenë Kryeredaktor i gazetës “Republika”, pozicion të cilin e ka pasur për tre vite. Më pas në vitin 1995 ai themeloi gazetën “Albania”, që konsiderohej një nga gazetat më të rëndësishme e të lexuara në shtypin e atyre viteve. Rakipi e drejtoi këtë gazetë për 15 vite. Në vitin 2014 ai u emërua Drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit “Ora News” ku nisi dhe puntatat e para të emisionit “Të Paekspozuarit”, emision, i cili tani transmetohet te “News 24”.
Përveç se gazetar dhe drejtues në vite i disa mediave të rëndësishme, Rakipi është gjithashtu, analist i njohur dhe kryetar i Lidhjes së Gazetarëve të Shqipërisë, organizatë anëtare në Federatën Internacionale të Gazetarëve, me qendër në Bruksel.

SHKARKO APP