Artan Hoxha: E drejta vonon, por në fund TRIUMFON

Nga Artan Hoxha

Jam ende “i nxehtë” nga vendimi i djeshëm për të shkruar qartë dhe saktë mbi atë që ka ndodhur. Urime, Elton! Së pari për ty, për dy djemtë e tu të vegjël, bashkëshorten dhe dy prindërit e moshuar. Më shumë se ty, ata e kanë përjetuar realisht gjithçka që ndodhi. Kanë parë dy herë, brenda një viti, se si t’u bastisën shtëpia, makina, zyra e punës, madje edhe lokali ku pi kafen përditë.

Uroj që të paktën dy djemtë e tu të mitur ta kenë fshirë sa munden nga kujtesa imazhin e hetuesve që bastisnin sirtarët ku mbanin lodrat, fletoret apo veshjet e tyre. U ndalua babai i tyre në derën e shtëpisë, teksa mbante në duar dy çanta shpine dhe ishte gati t’i çonte në shkollë. Prandaj, shijoje këtë fitore që erdhi si rrufe në qiell të kaltër, në një kohë të zymtë kur sulmet ndaj teje kaluan çdo kufi. Fitorja jote është padyshim një ditë e madhe, jo vetëm për ty, por për gjithë median, sidomos për reporterët e terrenit. Do të mbetet në histori si precedenti “Qyno kundër SPAK”.

Fatkeqësisht, kjo kauzë që tani u shërben të gjithëve, nuk u mbështet nga kolegët tanë. Na braktisën në atë sallë gjyqi hijerëndë, madje u sulmuam dhe anatemuam si kriminelë. Sulmet ishin poshtë brezit, pa respektuar asnjë kriter profesional, asnjë standard raportimi, pa konfirmuar burimet apo dhënë mundësinë e palës nën akuzë për t’u përgjigjur. Lëre më që askush nuk u shqetësua për parimin e prezumimit të pafajësisë. Situata dukej aq e pashpresë, saqë në atë sallë gjyqi kishte më shumë prokurorë të SPAK-ut dhe të OPDAT-it sesa gazetarë të interesuar – jo për fatin e një kolegu, por për fatin e profesionit që ushtrojnë vetë.

Gjithsesi, “çfarë nuk të vret, të bën më të fortë”. S’mund të lë pa përmendur kontributin e avokatit Dorian Matlia, i cili është kthyer në një engjëll mbrojtës për gazetarët e terrenit. Puna, mundi, sakrifica dhe lodhja e tij u shpërblyen me një fitore për të gjithë ne. Pa dyshim, befasia e ditës mbetet vendimi historik për median shqiptare, nga trupa gjykuese e Gjykatës Kushtetuese.

Ajo tetëshe gjyqtarësh meriton një nderim të thellë dhe një duartrokitje. ATA nuk mbajtën me hatër askënd, aq më pak të dobëtit përballë SPAK-ut të fuqishëm. Gjykata Kushtetuese e Republikës së Shqipërisë thjesht bëri detyrën, duke dhënë drejtësi. Por në këtë vend, të bësh detyrën është kthyer prej kohësh në heroizëm. Në fund, Elton. Miku im, disa histori janë tepër të vërteta për t’u treguar.

Këto fjalë një zyrtar i lartë amerikan do t’ia thoshte gazetarit investigativ Gary Webb, fitues i çmimit Pulitzer, për zbardhjen e përfshirjes së CIA-s në trafikun ndërkombëtar të kokainës, financimin e guerilëve “Kontras” në Nikaragua dhe shitjen e narkotikëve në lagjet e varfra të afro-amerikanëve në Los Anxhelos. Dhe po të mendosh, ai nuk e kishte gabim. Por ne jemi këtu, pikërisht për të treguar ato të vërteta që askush nuk i thotë, duke marrë mbi supe të gjitha kostot që rrjedhin prej tyre.

Në foton e parë: Në sallën e gjyqit, mbrëmjen e djeshme, me një grusht kolegësh sa gishtat e një dore, duke pritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në foton e dytë: Dy prokurorët e SPAK-ut dhe prokurori amerikan i OPDAT-it, duke dalë nga Gjykata Kushtetuese.

SHKARKO APP