Zvërneci, Narta, Rrjolli, Sazani dhe Shqipëria që po humbasim
Nga Arlinda Çausholli
Kur e pashë fotografinë e parë, qëndrova një moment pa lëvizur. Jo sepse nuk e kisha parë kurrë tela me gjemba, por sepse prapa tyre shihej deti, shihej ishulli, shihej pylli i Zvërnecit me atë gjelbërim të qetë dhe të patrazuar që e mban në kujtesë çdokush që ka shkuar aty ndonjëherë dhe ka pasur fatin të hyjë brenda pa e ditur se do ishte hera e fundit.
Tela me gjemba, tela lufte. Jo gardh, jo tabelë, as rrethim i zakonshëm ndërtimi. Por tela të tipit që vendosen në kufij të nxehtë, në zona konflikti, në vende ku dikush ka vendosur me shumë qartësi se njerëzit nuk duhet të kalojnë. Prapa atyre telave është Zvërneci. Prapa atyre telave është një pyll që ka qëndruar i hapur për shekuj, një ujë që ka mbajtur peshë të tëra ekosistemi pa i kërkuar leje askujt, një hapësirë ku edhe heshtja ka formë dhe ngjyrë dhe tingull të vetën.
Dhe pastaj erdhi fotografia e dytë.
Roje private që sulmojnë protestuesit te Plazhi i Zvërnecit. Njerëz që godasin ata që dolën me duart e zbrazëta dhe me zërin e tyre, sepse nuk kishin tjetër armë, sepse armën e vetme që e quajmë të ligjshme në një shtet të së drejtës e quajmë protestë, dhe protestën e Zvërnecit e pritën me grushte.
Por Zvërneci nuk është i vetëm.
Ky është një fenomen i qartë, i dokumentuar, i përsëritur nga Veriu në Jug të këtij vendi me një rregullsi që nuk le vend për rastësi.
Në Veri, Rrjolli, brenda zonës së mbrojtur Bunë–Velipojë, ligatinë me rëndësi ndërkombëtare, e mbrojtur me ligj shqiptar dhe me konventa ndërkombëtare, dhe megjithatë edhe aty po ngrihet resort, edhe aty banorët thonë se u është zaptuar toka, edhe aty organizatat mjedisore paralajmërojnë me zë të lartë dhe dokumentet e tyre mbeten pa përgjigje.
Në Jug, Narta, me flamingot e saj që zbresin çdo pranverë mbi lagunë me krahët e hapur, dhe pastaj është Sazani.
Sazani është paradoksi më i madh dhe më i dhimbshëm i gjithë kësaj historie, ishulli që e shpëtoi pikërisht ajo gjë që e shkatërroi gjithçka tjetër. Për dekada ishte zonë ushtarake e ndaluar, e mbyllur, e izoluar nga bota me roje dhe me rregulla dhe me atë heshtje të veçantë të vendeve ku njeriu nuk lejohet të hyjë.
Dhe pikërisht ajo mbyllje, ajo ndalim, ai izolim i gjatë dhe i dhimbshëm, e ruajti. E la të jetë ajo çfarë është sot: një nga ekosistemet më të paprekura në Mesdhe, me ujëra kristal, me biodiversitet të rrallë, me natyrë që ka pasur luksin e pazakontë të zhvillohet pa njeriun pranë.
Dhe tani, pasi i mbijetoi gjithçkaje, rrezikon të mos i mbijetojë “zhvillimit”, sepse tani po flitet për hapje, për turizëm luksoz, për resort dhe jahte dhe pishinë mbi atë ujë të paprekur, dhe askush nuk po pyet me zë të lartë nëse ishulli që e shpëtoi mbyllja duhet të mbrohet edhe nga hapja e gabuar.
Mbyllur qe. Dhe mbyllur do të mbetet. Jo nga ushtria. Por nga lakmia.
Nga Veriu në Jug. Nga Rrjolli te Zvërneci te Narta te Sazani. I njëjti model. I njëjti mosrespekt. E njëjta logjikë e zbatuar me durim dhe me metodë mbi të gjithë vijën bregdetare shqiptare, copë pas cope, pyll pas pylli, lagunë pas lagune, ishull pas ishulli, si të ishte hartë e ndarë paraprakisht, si të ishte vendosur dikur në një dhomë të mbyllur se cila pjesë i takon kujt dhe kur dhe si, dhe gjithçka tjetër, ligjet, zonat e mbrojtura, konventat ndërkombëtare, banorët, flamingot, protestat, të jenë detaje të vogla të një ekuacioni të zgjidhur tashmë.
Dhe ndërkohë, ndërsa pyjet mbyllen me tela lufte dhe lagunat shndërrohen në kantiere dhe ishujt e paprekur bëhen produkt turistik, shqiptari i zakonshëm nuk është në gjendje të blejë një banesë. Jo një vilë, jo një apartament me pamje nga deti, por një banesë të thjeshtë, në një qytet të zakonshëm, me rrogën e një njeriu që punon me ndershmëri dhe pyet veten çdo muaj se si do ta bëjë. Çmimet e pronave kanë shkuar në nivele që nuk i gjen dot shpjegim logjik përveç një të vetmi, se toka dhe ndërtimi nuk janë më treg, janë instrument i përqendrimit të pasurisë tek ata që e kanë tashmë. Po pasurohen investitorët e luksit. Po varfërohen shqiptarët. Dhe ndërmjet këtyre dy fakteve, të lidhura ngushtë dhe të pandashme, shteti qëndron si spektator – ose si bashkëpunëtor – gjë që është akoma më e rëndë.
Shqipëria nuk zhvillohet duke varfëruar shumicën për të pasuruar pakicen.
Kur tela me gjemba vendosen rreth një pylli të hapur për shekuj, kur protestuesit sulmohen, kur zonat e mbrojtura me ligj ndërkombëtar bëhen kantiere pa u pyetur askush, kur ishulli që e shpëtoi izolimi rrezikon ta shkatërrojë hapja, nuk jemi më te debati mjedisor dhe as te debati ekonomik.
Jemi te diçka tjetër dhe më themelore. Te pyetja nëse ky vend ka ende hapësirë publike të vërtetë, nëse ka ende tokë, det, pyll dhe ishull që i takon të gjithëve dhe jo vetëm atij që ka vendosur ta marrë, dhe nëse ka ende të drejtë të thuash “jo” pa u goditur për të.
Grushtet mbi protestuesit nuk kanë emër tjetër. Ato janë frika e atyre që e dinë se çfarë po bëjnë. Dhe kjo frikë e tyre, është paradoksalisht gjëja më e qartë dhe më e sinqertë që ka ndodhur në gjithë këtë histori, më e sinqertë se çdo premtim për turizëm luksoz, më e qartë se çdo projekt me emër anglishtfolës dhe broshurë me ngjyra të ndezura.
Kam qenë në Zvërnec para disa vitesh dhe e mbaj mend të hapur, të lirë, të qetë, me atë qetësi të vërtetë që nuk ka nevojë për roje dhe as për tela, sepse vjen nga vetë natyra e vendit, nga gjelbërimi i heshtur mbi ujë, nga drita e filtruar nëpër degë dhe nga ndjesia se je i mirëpritur thjesht sepse ke ardhur, pa pagesë dhe pa leje dhe pa asnjë tabelë që të thotë se deri ku mund të shkosh.
Dhe dallimi midis atij kujtimi dhe lajmeve te fundit është i gjithë dallimi midis Shqipërisë që kishim dhe Shqipërisë që po humbasim, jo ngadalë dhe pa e kuptuar, por me nxitim dhe me vendosmëri, dhe me grushte në dritën e ditës, si te plazhi i Zvërnecit.
Po tani?
E postojmë shkrimin, e shikojmë, lëvizim tek postimi tjetër, dhe ndërkohë pylli mbyllet, laguna betonohet, ishulli shitet, dhe protestuesi përplaset në tokë.
Heshtja jonë, e atyre që mbetemi në këtë vend – se po pakësohemi gjithnjë e më shumë – është akoma më e rëndë se telat me gjemba.
KOHA JONË SONDAZH

