Sa kushton marketingu që po bëhet me ERTV? Përgjigjja e Edi Ramës
Përveç mbulimit mediatik në të gjitha televizionet, radiot, gazetat, revistat, portalet dhe mjete të tjera të komunikimit masiv, Edi Rama ka hapur prej muajsh edhe atë që ai e quan ERTV ose Edi Rama Televizion.
ERTV është një burim që shfrytëzohet disa herë gjatë ditës si për publikun e rrjetit social Facebook ashtu dhe nga mediat e sipërpërmendura.
Në fillesat e tij, ERTV ishte vetëm për transmetime direkte të fjalimeve të Edi Ramës, kryesisht për fushatë elektorale.
Kohët e fundit, ERTV po shndërrohet në një televizion dhe burim transmetimi televiziv.
Televizionet informative dhe ato gjeneraliste në vend, me orientim të zyrës së shtypit të qeverisë dhe PS, marrin sinjalin nga ERTV për transmetim të aktiviteteve që publikohen aty.
Ndërkohë, një cikël i rregullt intervistash në studio, ka nisur me personazhe të ndryshme nga qeveria dhe PS, të cilat gjithashtu transmetohen në ERTV dhe shpërndahen në mediat e tjera, raporton noa.al.
Disa herë në ERTV ka transmetime të shkurtra të filmimeve me celular. Në të gjitha rastet e tjera, transmetimi bëhet me kamera profesionale dhe regji.
Por sa kushton mbajtja e ERTV?
Këtë pyetje, ia bëri sot kryeministrit Edi Rama, një lexues në faqen e Facebook: “Po ti marketingun që i bo vetes me ERTV sa të kushton në vit? Dhe këto kosto nga kush mbulohen?”.
Kryeministri u përgjigj se ERTV nuk i kushton asnjë lek. Sipas tij, për të mbajtur transmetimet televizive në ERTV mjafton një telefon celular, duke shtuar: “Zero lekë. Mund ta besh edhe ti televizionin tënd, te mjafton ajfoni dhe fejsbuku, po duhen edhe imagjinata, edhe idetë, edhe të kesh ca vajza e djem të zotë rrotull siç kam unë”.
Përgjigja e Ramës pasoi pyetje nga një qytetar tjetër: “Me çfarë lekësh i paguan ato djem dhe vajza që të vijnë rrotull se luksin tënd e ke ne maksimum dhe fukarenjve dhe copën e bukës ia hoqe”, – pyetje që nuk pasoi me përgjigje nga z.Rama.
Kurse qytetari që nxiti Ramën të shpjegojë se ERTV mbahet me zero lekë kosto, e komentoi kështu përgjigjen e kryeministrit: “Ahahaha të them që kur kam marrë unë të ardhura nga fb ti nuk e dije që ekzistonte! Sa për ajfon në sajë të të ardhurave nga jashtë kemi pasur mundësi ta blejmë, sepse me politikat tuaja të taksave, të ardhurat nuk dalin për energji elektrike dhe ujë! Kështu që i dashur komandant, jeta ne realitet nuk është pikturë siç e shikon ti dhe ironitë që bën janë thjesht shmangie nga realiteti!” /noa.al/