Tiede dhe amerikanizmi fals i Ramës

Nga Luçiano Boçi

Publikimet e Bild shpërthyen në opinionin kombëtar e ndërkombëtar skandalin më të bujshëm shqiptar të këtyre viteve demokraci. Një ELECTIONGATE ky, që vërtetoi tezat e opozitës dhe rrëzoi përfundimisht çdo alibi të qeverisë. Përgjimet zbuluan skemën gjigande të bashkëpunimit pa kufij të krimit me politikën, për të rrëmbyer pushtetin dhe për ta shndërruar demokracinë nga një sistem për t’i shërbyer publikut, në një vegël efikase për të sunduar përmes shitje-blerjes së votave dhe të interesave.

Përkundër dorëheqjes si akti më normal i përgjegjshëm, Rama kaloi në një ofensivë absurde të paralajmëruar, duke ngritur akuzë ndaj Bild dhe autorit të publikimeve Peter Tiede. Një hap fals ky që përveç kostove financiare shtesë me pagesat stratosferike për avokatin nga fondet publike, do t’i sjellë qeverisë shqiptare një kosto politike historike, tani si vrasëse e fjalës së lirë, krahas asaj si vrasëse e votës së lirë. Rama kurrë nuk e fiton çështjen gjyqësore ndaj Tiede e Bild. Madje ai këtë e di dhe vetë, por kërkon të zbusë zemërimin e publikut, të shfokusojë vëmendjen nga skandali dhe të shpëtojë përkohësisht karriken e vet.

Tiede-n dhe Bild, sikurse asnjë media, nuk e pengon asgjë të publikojnë materiale që dikush apo ndonjë qeveri i konsideron “sekret”. Kushtetutat e vendeve demokratike përfshirë atë Amerikane, Gjermane por dhe Shqiptare, garantojnë në nenet e tyre lirinë e shprehjes dhe fjalës. Një rast i ngjashëm i domosdoshëm për t’u sjellë për publikun, për të kuptuar akuzën e Ramës dhe argumentin e humbjes së gjyqit, mbetet rasti i skandalit të quajtur PENTAGON PAPERS. Në 13 Qershor 1971, New York Times, filloi botimin e një sërë artikujsh, ku jepeshin pasazhe nga raporti 7000 faqesh, Top Secret i Departamentit të Mbrojtjes të SHBA , i hartuar me kërkesë të Robert McNamara asokohe Sekretar i Mbrojtjes. Raporti zbulonte para publikut përfshirjen politike e ushtarake 30 vjeçare, nga 1945 deri 1967, të SHBA dhe të administratave që nga Truman, Eisenhower deri Nixon, përfshirë Kennedy e Johnson. Madje konkludimi për këtë të fundit ishte se “gënjeu sistematikisht, jo vetëm publikun, por dhe kongresin” për mundësinë e fitores së kësaj lufte të konsideruar të humbur në raport, pavarësisht se mijëra amerikanë dërgoheshin ende në front.

Botimi shkaktoi një valë të gjërë protestash të forta kundër luftës dhe debati politik. Ishte Daniel Ellsberg, hartues i raportit bashkë me mikun e tij Anthoni Russo që e fotokopjuan atë dhe ia dorëzuan gazetarit Neil Sheehan të New York Times. Pas botimit dhe alarmit të shkaktuar dhe pasi kërkuan nga gazeta mosbotimin vullnetar, gjë që u refuzua, Nixon dhe prokurori i përgjithshëm John Mitchell nxorrën një urdhër të gjykatës federale që detyronte NYT, të ndëpresë botimin. Botuesi i NYT Arthur Ochs Sulzberg refuzoi, duke theksuar se “ato janë pjesë e rëndësishme e historisë që duhej të ishin nxjerrë më parë dhe që nuk shkelin sigurinë kombëtare”. Në solidaritet me NYT, më 18 qershor, reporteri Ben Bagdikian dhe redaktori Ben Bradlee të Washington Post, filluan botimin e pjesëve të tjera të servirura po nga Ellsberg. Kur ndihmës prokurori i përgjithshëm i SHBA Rehnquist, kërkoi urdhër-ndalimi botimi për Washington Post, gjykatësi Murray Gurfein nuk pranoi, duke argumentuar se: “Siguria po ashtu qëndron në vlerën e institucioneve tona të lira”.

Qeveria amerikane e apeloi vendimin duke riakuzuar gazetat NYT dhe WP, e gazetarët e tyre dhe më 26 qershor Gjykata Supreme pranoi shqyrtimin. Në 30 qershor (koincidencë e zezë për Ramën) Gjykata Supreme dha vendimin 6 me 3 në favor të New York Times dhe Washington Post, duke rrëzuar qeverinë amerikane në pretendimin e saj për nxjerrje të sekretit shtetëror. Shtypi i lirë triumfoi kështu ndaj “sekreteve” qeveritare. Argumenti bindës i trupës prej 9 anëtarësh ishte Amendamenti i parë i Kushtetutës amerikane. Ky Amendament garanton lirinë e mendimit, të fjalës, fesë.

Në një paragraf të vendimit shkruhej: “Vetëm një shtyp i lirë dhe i pakufizuar mund të paraqesë në mënyrë efektive mashtrimet e një qeverie”. Mjaftoi kaq, për të nxitur më pas iniciativat për dhënien fund luftës së Vietnamit. Njëkohësisht dhe Ellsberg e Russo u çliruan nga akuzat për spiunazh dhe nxjerrje sekreti, pasi u vërtetua se administrata Nixon pas Uotergate, kishte ndërhyrë për të marrë të dhëna në kartelën mjeksore të Ellsberg, për ta diskretituar atë. Ngjashmëria e kësaj ngjarje me Tiede e Bild është e qartë. Rastet janë pothuaj si dy pika uji. Për më tepër “sekreti” i Ramës krahasuar me sekretin e Vietnamit është fare, fare banal. Amendamenti nr 1 i Kushtetutës Amerikanë që garanton këtë liri është i gdhendur dhe në Kushtetutën Gjermane, sikurse dhe në Kushtetutën tonë në Kreun II të saj. Qeveria shqiptare nuk mund të fitojë një çështje kundër lirisë së shprehjes dhe shtypit e aq më shumë në një vend me drejtësi të pakapur. Kjo është një butafori dhe kosto e pallogaritshme për reputacionin e shtetit shqiptar. Rama jo vetëm do humbasë gjermanisht, por mbi të gjitha dhe shqip-shqip në datën 30 Qershor, e cila pikërisht risjell në kujtesë me vendimin e Gjykatës Supreme Amerikane si ditën e fitores së shtypit ndaj qeverive. Rama me amerakinizmin e tij fals, nuk mund të gjunjëzojë Tiede e Bild dhe as lirinë e medias.

SHKARKO APP