Zaev: Qeveria ime është e vdekur nëse nuk ka datë për negociatat

Nëse liderët e BE-së marrin një vendim negativ për fillimin e negociatave, qeveria e Maqedonisë së Veriut do të jetë e vdekur. Kështu tha në Vjenë, në një deklaratë për Agjencinë serbe të lajmeve TANJUG kryeministri Zoran Zaev, gjatë një paneli diskutimi, të organizuar nga një institut austriak me temën “Perspektivat evropiane të Maqedonisë së Veriut”. “U premtuam deputetëve, u thamë të votojnë për ndryshimin e emrit, për ndryshimin e kushtetutës, për të pranuar Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë, për shkak se BE-ja na premtoi se do të ketë një datë për negociata, e jo menjëherë të bëhemi anëtare. Në këtë drejtim besoj se do të mbajnë llogari të mos u lënë hapësirë palëve të treta  dhe nuk do të lejojnë që të kthehet nacionalizmi radikal në vend”.

Nëse Franca nuk zbut qëndrimet ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, sipas Kryeministrit Zaev, mesazhi për rajonin do të jetë dekurajues.

“Nëse e dënojnë shembullin më të mirë, si do ta motivojnë Vuçiçin, Thaçin në Kosovë ose Bosnjë e Hercegovinën. Në rajonin tonë interesa kanë Turqia, Rusia dhe Kina. Por ata nuk ofrojnë sundim të së drejtës dhe demokraci, këtë e kemi parë dhe duam demokraci”.

Duke komentuar takimin e djeshëm ministror në Luksemburg, Kryeministri Zaev ka shprehur keqardhje që Ministrat e BE-së nuk kanë pasur guxim të mjaftueshëm që të marrin një vendim për të motivuar Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë.

SHKARKO APP