Ndryshimet klimatike, Spiropali në Baku: Jo më qëndrime asimetrike, të sillemi si bij të planetit

Kryetarja e Parlamentit, Elisa Spiropali, ka qenë e pranishme në takimin parlamentar për ndryshimet klimatike, që po mbahet në Azerbajxhan në margjinat e Samitit Cop 29, ku ka kërkuar nga të gjithë që të sillen si bij të planetit dhe jo si zotër të tij.

Në fjalën e saj të rastit në këtë takim, Spiropali ka thënë se nuk duhet të ketë më qëndrime asimetrike në përballimin e ndryshimeve klimatike dhe se ndryshimet e klimës, ndotja e mjedisit, apo vrasja e planetit, nuk duhet mbuluar me “fjalë të bukura”.

“Ekonomitë, prodhuesit, konsumatorët dhe dëmtuesit më të mëdhenj të klimës, të mbajnë përgjegjësitë më të mëdha”, kërkoi ndër të tjera kryeparlamentarja.

Teksa, për Shqipërinë, tha se ka përparësi reduktimin e emetimeve, shtimin e energjisë së rinovueshme diellore, si edhe atë përmes erës.

Kuvendi i Shqipërisë, sipas saj, ka rol përcaktues për kthimin e objektivave klimatike në masa ligjore. Teksa, nuk ka lënë pas edhe përmendjen e shpalljes së lumit Vjosa si Park Kombëtar, i cili është edhe Parku i parë Kombëtar i lumenjve të egër në Evropë.

Fjala e plotë:

Shkëlqesia Juaj Kryetare e Parlamentit të Azerbajxhanit, znj. Sahiba Gafarova,

Shkëlqesia juaj Presidente e IPU-së, znj. Tulia Ackson,

I nderuari President i COP 29, Z. Mukhtar Babayev,

Të nderuar panelistë dhe kolegë,

Është kënaqësi të marrim pjesë në këtë takim të rëndësishëm, kushtuar një prej çështjeve më kritike që bota dhe njerëzimi po përballojnë: ndryshimeve klimatike.

Shpreh mirënjohjen ndaj Qeverisë dhe Parlamentit të Azerbajxhanit, në mënyre të veçantë për kolegen Sahiba Gafarova, për organizimin ekselent të këtij eventi.

Sytë e botës kanë qenë dhe janë në Baku dhe te COP29 gjatë këtyre ditëve.

Mirënjohje për Presidenten e IPU, znj. Tulia Ackson, për dedikimin dhe kontributin.

Faleminderit udhëheqësve dhe drejtuesve te parlamenteve për pjesëmarrjen dhe kontributin në këtë takim.

Te nderuar kolegë,

Është një çështje nderi e detyre njerëzore e parlamentare të kontribuojmë në dimensionin parlamentar të COP29.

Kjo tregon shqetësimin, dedikimin dhe kontributin tonë për të ruajtur klimën dhe shpëtuar planetin.

Këto qëllime dhe objektiva fisnike apelojnë për përgjigjen tonë.

Dhe ne jemi këtu për të shprehur angazhimin tonë.

Parlamentet luajnë një rol thelbësor në zhvillimin dhe zbatimin e Kontributeve Kombëtare të Përcaktuara (KKP), të cilat janë në qendër të Marrëveshjes së Parisit dhe të përpjekjeve të vendeve për të luftuar ndryshimet klimatike.

Procesi i rishikimit të KKP-ve na nxit:

* Të sigurojmë karakterin gjithëpërfshirës të procesit, duke lehtësuar pjesëmarrjen publike dhe angazhimin e palëve të interesuara;

* Të konsolidojmë kuadrin ligjor përmes miratimit të legjislacionit që mbështet zbatimin e objektivave të KKP-ve dhe plan-veprimeve për klimën;

* Të garantojmë mbështetje financiare përmes miratimit të buxheteve dhe alokimit të burimeve të mjaftueshme për masat e zbutjes dhe përshtatjes ndaj klimës;

* Të ushtrojmë kontrollin parlamentar dhe të mbikëqyrim progresin e qeverisë në përmbushjen e angazhimeve të KKP-ve;

* Të forcojmë dimensionin ndërkombëtar përmes nxitjes së bashkëpunimit ndërkombëtar për ndryshimet klimatike, me anë të rrjeteve dhe dialogëve ndër-parlamentar.

Në të vërtetë, ne po përballemi me një pozicion asimetrik në përballimin e pasojave të ndryshimeve klimatike: Ekonomitë më të mëdha janë njëkohësisht dhe prodhuesit më të mëdhenj, konsumatorët më të mëdhenj, ndotësit më të mëdhenj të mjedisit dhe shkaktarët më të mëdhenj të ndryshimeve klimatike.

Megjithatë, ata janë vërtetë përgjegjësit më të mëdhenj për ta ndryshuar dhe përmirësuar situatën.

Ne duhet të ndalojmë së qeni të mësuar me situatën ku artikulojmë fjalë të bukura, por praktikisht nuk bëjmë asgjë dhe vazhdojmë të ndikojmë tek klima, të ndotim mjedisin dhe të vrasim planetin tonë.

Duhet të veprojmë, jo vetëm të flasim.

Ne nuk jetojmë në një botë ideale, por në një botë reale.

Duhet të sillemi si bij të planetit, jo si pronarë të tij.

Shqipëria mbetet e angazhuar për të kontribuar në përpjekjet globale, sipas Marrëveshjes së Parisit, duke i kthyer ambiciet tona kombëtare për klimën në veprime të prekshme.

Vitet e fundit, kemi zbatuar disa masa për të siguruar që Kontributet tona Kombëtare të Përcaktuara (KKP) të jenë në përputhje si me objektivat aktuale të klimës, ashtu edhe me ambiciet tona të ardhshme për vitin 2025.

KKP-të e rishikuara, të paraqitura në vitin 2021, përcaktuan angazhimin e vendit për të adresuar ndryshimet klimatike përmes përpjekjeve të shtuara të zbutjes dhe përshtatjes.

Shqipëria synon një objektiv të pakushtëzuar të uljes së emetimeve me 20.9% të niveleve aktuale deri në vitin 2030, një rritje e konsiderueshme nga objektivi fillestar prej 11.5% i përcaktuar në KKP-të e para.

KKP-të e rishikuara në vitin 2021 përfshinin disa sektorë kyç që kontribuojnë në emetimet e gazrave serrë (GHG): Energji; Bujqësi; Mbetje; Përdorimi i Tokës, Ndryshimi i Përdorimit të Tokës dhe Pylltaria; Proceset Industriale dhe Përdorimi i Produkteve.

Shqipëria i ka dhënë përparësi tranzicionit energjetik, si një faktor kyç i reduktimit të emetimeve. Aktivitetet prodhuese të vendit bazohen në energji 100 për qind të rinovueshme.

Në përpjekjet tona për të diversifikuar dhe forcuar matricën tonë energjetike, kemi nisur një rrugëtim transformues. Strategjia jonë afatgjatë përfshin rritjen e kapacitetit të energjisë së rinovueshme, duke vënë theksin tek energjia diellore dhe ajo e erës.

Në vitin 2023 Shqipëria arriti një moment të rëndësishëm duke u bërë një eksportuese neto e energjisë së prodhuar në vend përmes hidrocentraleve.

Në vitin 2023 Shqipëria shpalli Lumin Vjosa si Parkun e parë Kombëtar të Lumenjve të Egër në Evropë, një hap novator që mbron 12,700 hektarë tokë dhe promovon praktika të zhvillimit të qëndrueshëm. Ky përcaktim mbështet përpjekjet tona për zbutjen e klimës, duke ruajtur ekosistemet jetike që veprojnë si përthithës të karbonit dhe promovojnë turizmin miqësor ndaj mjedisit, i cili sjell përfitime për komunitetet vendore.

Shqipëria është fokusuar gjithashtu tek avancimi i masave të efiçencës së energjisë. Përmes nismave të drejtuara nga qeveria, siç është Plan Veprimi Kombëtar për Efikasitetin e Energjisë, ne kemi zbatuar me sukses projekte për rikonstruksionin e godinave publike, përfshi shkolla dhe spitale, me teknologji për kursimin e energjisë.

Parlamenti ynë ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm për kthimin e këtyre objektivave klimatike në masa ligjore. Ligjet dhe ndryshimet e fundit kanë forcuar kuadrin qeverisës mjedisor të Shqipërisë, duke siguruar mbikëqyrje më të fortë rregullatore dhe llogaridhënie.

Kuvendi i Shqipërisë, së bashku me Qeverinë, kanë marrë një sërë masash ligjore për të mbështetur zbatimin e KKP-ve:

* Krijimi i Grupit Ndër-ministror të Punës për Ndryshimet Klimatike, i cili koordinon proceset e ndryshimeve klimatike në të gjitha institucionet.

* Miratimi në korrik të vitit 2019 i Strategjisë Kombëtare për Ndryshimet Klimatike dhe planet kombëtare përkatëse të zbutjes dhe përshtatjes.

* Miratimi në dhjetor të vitit 2021 i Planit Kombëtar për Energjinë dhe Klimën, i cili po përpunohet për të pasqyruar objektivat 2030 të Komunitetit të Energjisë.

* Rishikimi i Ligjeve për Efiçencën e Energjisë dhe Performancën e Energjisë në Ndërtesa në vitin 2021.

Komisionet parlamentare janë angazhuar në mënyrë aktive për formësimin e politikave të klimës, duke lehtësuar bashkëpunimin ndër-ministror, dhe duke mbikëqyrur progresin e zbatimit të KKP-ve.

Aktualisht, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit po përfundon procedurat për të nisur përgatitjen e Raportit Bienal të Transparencës, që do të na informojë në lidhje me zbatimin aktual të KKP-ve tona.

Ndërsa shohim drejt paraqitjes në 2025-n të KKP-ve të rishikuara, Shqipëria është e angazhuar të vijojë këto përpjekje, duke integruar teknologji të reja, duke nxitur partneritetet publik-privat, perspektivat rinore dhe gjinore, si dhe duke rritur rolin e organeve tona legjislative për të garantuar një qeverisje të fortë të klimës.

Ju faleminderit.

SHKARKO APP