Drejtuesi i Acromax, Aldor Nini: Kjo ideja “hajd e mbyllim Tik-Tok” nuk është zgjidhje!
Drejtuesi i Acromax, Aldor Nini, ka qenë i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, ku është diskutuar propozimi i kryeministrit Rama për një konsultim për të mbyllur Tik Tok.
Nini shpjegoi pse platforma është kaq e suksesshme sot, ndërkohë që tha se mbyllja e Tik Tok nuk mund të jetë zgjidhje për problemet në Shqipëri.
“Vulgar po është term interesant, por nuk është vulgariteti që e bën të suksesshme, por interesat. Nëse dalin gjëra vulgare, do të thotë se ai është interesi jot dhe këtë e identifikon algorithmi. Është shumë i sofistikuar algorithm i Tik Tok. Ka qenë aplikacioni i parë që ka mundësuar të shihen videot me lëvizjen e gishtit.
Tik Tok i mbyll materialet bazuar në legjislacionin e shtetit të caktuar. Youtube sipas konceptit amerikan.
Shteti shqiptar duhet të bëjë ligj ose udhëzim. Duhet të lëshohet nga një autoritet që e njohin si autoritet shtetëror. Me sa kam kuptuar, nuk ekziston një udhëzim i tillë. Ekziston një ligj që nuk e njeh as Tik Tok dhe as Youtube si operator mediatik. Ligji ka disa përcaktime që nuk hyn as Tik Tok dhe as Youtube. Bota ka. BE ka një direktivë në të cilën, ajo ka rregulluar pikërisht rregullat për platformat e mëdha. Ne mund ta bënim shumë thjesht, ta merrnim direktivën e BE. Kjo ideja “hajd e mbyllim” nuk është zgjidhje.
Në një tremujor, janë bllokuar 14 mijë video në mënyrë automatike, duke identifikuar cfarë flasin. Këto shifra i kam marrë nga Tik Tok. Kam biseduar për statistika”, tha Nini.