Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala: Salla të reja kimioterapie për pacientët në Spitalin Onkologjik
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala, nga sallat e reja të kimioterapisë, u shpreh sot se përmirësimi i kushteve në Spitalin Onkologjik, përmes shtimit të sallave dhe shërbimeve, është vetëm hapi i parë drejt një trajtimi të sigurt dhe dinjitoz për pacientët.
Ajo theksoi se vijon puna për garantimin e barnave onkologjike.
Investimi në sallat e reja të kimioterapisë është rezultat i bashkëpunimit mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe partnerëve, duke përbërë një hap të rëndësishëm për ofrimin e një trajtimi më të sigurt, më komod dhe më dinjitoz për pacientët.
Ministrja Sala, në një videomesazh në rrjetet sociale nga sallat e reja të kemioterapisë, tha se që në ditën e parë të detyrës saj, angazhimi ka qenë që shërbimi onkologjik të jetë një përparësi. “Shërbimi që ofrohet këtu prek jetën e shumë familjeve dhe kërkon mbështetje të vazhdueshme”, u shpreh Sala.
“Çdo pacient që kalon këto korridore vjen me sfida, me shpresë. Dhe është detyrë e jona të krijojmë kushte sa më të mira përgjatë këtij rrugëtimi të vështirë”, tha ajo.
“Ky është vetëm hapi i parë. Puna po vijon paralelisht për garantimin e barnave onkologjike. Në buxhetin 2026 për herë të parë është planifikuar rimbursimi i të gjitha barnave antitumorale për pacientët që trajtohen në këtë spital, duke rritur fondin me 1.5 miliardë lekë dhe duke krijuar një mbështetje më të plotë për trajtimin”, vijoi Sala.
Sala shprehu njëherësh, mirënjohje dhe respekt për mjekët, infermierët, farmacistët dhe gjithë stafin shëndetësor, të cilët çdo ditë janë forca që sipas ministres mban në këmbë këtë shërbim jetik.
Paralelisht, Spitali Onkologjik ka nisur zbatimin e shërbimeve të reja digjitale, si receta elektronike dhe dosja elektronike e pacientit (e-file), duke përmirësuar ndjekjen dhe menaxhimin e trajtimit për çdo pacient.
KOHA JONË SONDAZH

