Çështja “Negreira”, Barcelona rrezikon përjashtimin nga Champions League
Barcelona ka qenë realisht pranë një përjashtimi nga Liga e Kampionëve për shkak të çështjes së njohur si skandali “Negreira”, sipas raportimeve të fundit. Klubi katalanas thuhet se ka qenë seriozisht i kërcënuar me masa të rënda disiplinore, deri në momentin kur presidenti Joan Laporta ndërhyri me një ripozicionim strategjik në raport me UEFA-n.
Në këtë kuadër, distancimi publik i Barcelonës nga projekti i Superligës Evropiane ka luajtur një rol kyç në zbutjen e qëndrimit të institucionit më të lartë të futbollit evropian, duke ndihmuar në shmangien e sanksioneve më të ashpra.
Skandali lidhet me mbi 8 milionë euro pagesa të kryera nga viti 2001 deri në 2018 ndaj kompanive të lidhura me Jose Maria Enriquez Negreira, ish-nënkryetar i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve. Këto zhvillime shtynë UEFA-n të hapte një hetim në vitin 2023, duke vlerësuar edhe mundësinë e një ndalimi njëvjeçar nga garat evropiane, pa pritur një vendim përfundimtar nga drejtësia spanjolle, në bazë të shkeljeve të mundshme të rregullave të integritetit.
Së fundmi, Laporta ka dëshmuar si dëshmitar, së bashku me ish-trajnerët Luis Enrique dhe Ernesto Valverde. Të tre kanë këmbëngulur se pagesat ishin për shërbime dhe raporte legjitime mbi arbitrimin, duke mohuar kategorikisht çdo ndikim në rezultatet e ndeshjeve.
Ndërkohë, çështja mbetet e hapur dhe tensioni vazhdon të rritet. Real Madridi ka shtuar presionin publik, duke kërkuar thellimin e hetimeve dhe duke e cilësuar këtë rast si “skandali më i madh në historinë e futbollit”.
KOHA JONË SONDAZH

