PREMIER LEAGUE/ United përmbys C.Palace, Fulham befason Tottenhamin
Manchester United ka siguruar një fitore të rëndësishme 2-1 ndaj Crystal Palace në javën e 28-të të Premier League, në një sfidë të zhvilluar në “Old Trafford”. Falë këtij suksesi, “Djajtë e Kuq” ngjiten në kuotën e 51 pikëve dhe pozicionohen në vendin e tretë të renditjes, ndërsa Crystal Palace mbetet me 35 pikë në vendin e 14-të.
Crystal Palace kaloi në avantazh që në minutën e 4-t. Pas një goditjeje këndi, Maxence Lacroix u tregua i saktë me kokë, duke dërguar topin në rrjetë dhe duke heshtur përkohësisht stadiumin.
Momenti vendimtar erdhi në pjesën e dytë. Në minutën e 56-të, arbitri akordoi penallti për Manchester United pas konsultimit me sistemin VAR dhe njëkohësisht ndëshkoi me karton të kuq autorin e golit, Lacroix. Nga pika e bardhë, Bruno Fernandes nuk gaboi, duke barazuar shifrat në minutën e 57-të.
Përmbysja u kompletua në minutën e 65-të, kur Benjamin Sesko shfrytëzoi në maksimum një krosim të saktë të Bruno Fernandes dhe me një goditje të bukur me kokë realizoi golin e fitores për skuadrën e Manchester United.
Ndërkohë, në sfidën tjetër të javës, Tottenham Hotspur u mposht 2-1 nga Fulham në “Craven Cottage”. Vendasit kaluan përpara që në minutën e 7-të me Harry Wilson, ndërsa Alex Iwobi dyfishoi avantazhin në minutën e 34-të. Tottenham arriti të ngushtojë diferencën në minutën e 66-të me Richarlison, por përpjekjet e londinezëve për të barazuar rezultatin nuk dhanë rezultat.
KOHA JONË SONDAZH

