Dojna Mema në protestë: Kjo është beteja për Shqipërinë që ua kemi borxh fëmijëve tanë
Moderatorja e emisionit “Piranjat”, Dojna Mema mbajti një fjalim gjatë protestës, ku u bëri thirrje qytetarëve të bashkohen në mbrojtje të së ardhmes së vendit. Ajo tha se zëri i qytetarëve është më i fortë se pushteti, paratë dhe propaganda, duke e cilësuar protestën si një kauzë të çdo shqiptari që e do vendin e tij dhe nuk pranon ta shohë të trajtuar si mall tregu.
Fjala e plotë
Të gjithë ju jeni frymëzim dhe shpresa e një Shqipërie të re! Ne nuk dorëzohemi, nuk heshtim dhe nuk luajmë me të ardhmen tonë. Zëri ynë është më i fortë se kurrë, sepse kur ngrihemi dhe bëhemi bashkë, as paratë, as pushteti dhe as propaganda nuk mund të na mbyllin gojën.
Kjo protestë i përket çdo shqiptari që e do vendin e tij, që e dhemb toka e tij dhe që nuk pranon ta shohë Shqipërinë të shitur si mall tregu. Ftojmë çdo njeri që e do Shqipërinë t’i bashkohet kësaj proteste. Çdo emigrant që u detyrua të largohej nga vendi i tij. Çdo student që largohet për një arsim më të mirë, me zemrën plot mall për shtëpinë.
Kjo protestë është e çdo qytetari që dëshiron të jetojë në një vend normal, ku uji dhe energjia nuk janë luks, ku kujdesi shëndetësor është një e drejtë dhe jo një privilegj, ku askush nuk detyrohet të shesë shtëpinë për t’u kuruar jashtë vendit.
Por mbi të gjitha, kjo protestë është për fëmijët tanë. Ne ua kemi detyrim atyre një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri të re. Mos bini pre e provokimeve dhe përçarjeve. Mos harroni qëllimin tonë kryesor: jemi këtu për Shqipërinë dhe për shqiptarët.”
KOHA JONË SONDAZH

