A janë të përgatitur PROTESTUESIT për plan “B”?

Prej ditësh protesta para Kryeministrisë po tërheq vëmendjen e opinionit publik. Organizatorët kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ngritjen e një qeverie teknike që do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të parakohshme. Por mes entuziazmit të protestës dhe objektivave politike të saj, ekziston një pyetje që deri tani po diskutohet shumë pak: a janë të përgatitur protestuesit për zgjedhje të mënjëhershme parlamentare? Por edhe për rezistencë dhe masivitet, sepse deri tani ka njerëz, por jo masivitet që trondit qeverinë.

Por le të marrim skenarin më ekstrem. Edi Rama, e ndan mendjen dhe thotë se “sa të duroj këta në bulevard”, por jap dorëheqjen. Situata politike hyn në një fazë të re. Vendi shkon drejt zgjedhjeve të parakohshme. Në pamje të parë, protesta do ta kishte arritur objektivin e saj.

Por çfarë ndodh më pas?

Swiss Digital Desktop Reklama

A janë të organizuar protestuesit për t’u përballur me një proces zgjedhor? A kanë strukturë politike, kandidatë, program qeverisës dhe organizim kombëtar? Apo janë ende një lëvizje proteste që bashkohet rreth kundërshtimit të qeverisë aktuale?

Swiss Digital Mobile Reklama

Kjo pyetje bëhet edhe më e rëndësishme nëse merret parasysh një mundësi tjetër: po sikur Edi Rama të japë dorëheqjen dhe ta përdorë zgjedhjen e parakohshme si mënyrë për të rifituar legjitimitetin politik përmes votës?

Dhe e bën Rama, ka dhënë prova se ka një makineri gjigande, ndonëse pak të lodhur, që merr vota me shumë se çdo palë politike.

Në demokraci, dorëheqja nuk do të thotë humbje politike. Ka raste kur liderët kanë zgjedhur t’u drejtohen qytetarëve për të marrë një mandat të ri. Nëse një gjë e tillë do të ndodhte në Shqipëri, atëherë beteja do të zhvendosej menjëherë nga bulevardi te kutia e votimit.

Dhe pikërisht këtu nis sfida e vërtetë për protestuesit.

Sepse mund të ndodhë që protesta të arrijë objektivin e saj maksimal, largimin e kryeministrit, por të mos jetë e përgatitur për fazën që vjen më pas. Në politikë nuk mjafton të krijosh pakënaqësi ndaj qeverisë. Duhet të bindësh shumicën e qytetarëve se alternativa që ofron është më e mirë.

Prandaj pyetja më e fortë politike e momentit nuk është nëse Rama do të japë apo jo dorëheqjen. Pyetja është: çfarë do të bëjnë protestuesit nëse pas gjithë kësaj beteje, shqiptarët votojnë përsëri për Edi Ramën ose për Partinë Socialiste?

A do ta pranojnë verdiktin e zgjedhjeve si shprehje të vullnetit popullor? A do të vazhdojnë protestat? A do të shndërrohen në një lëvizje të organizuar politike që synon zgjedhjet e ardhshme? Apo do të shpërbëhen pasi të kenë konsumuar energjinë e revoltës?

Historia politike tregon se momenti më i vështirë për një lëvizje proteste nuk është dita kur del në shesh. Momenti më i vështirë është dita kur duhet të përballet me verdiktin e kutisë së votimit.

Sepse në demokraci, protesta është një e drejtë. Por vendimin përfundimtar e merr vota.

Pikërisht për këtë arsye, para se të kërkojnë largimin e kryeministrit, organizatorët e protestës duhet t’u përgjigjen një pyetjeje të thjeshtë: a janë gati jo vetëm për zgjedhje të parakohshme, por edhe për mundësinë që ato zgjedhje t’i fitojë përsëri kundërshtari i tyre politik?

Sepse atëherë beteja nuk do të jetë më për largimin e Edi Ramës. Atëherë beteja do të jetë për të kuptuar nëse protesta përfaqëson shumicën e shqiptarëve apo vetëm një pjesë të tyre apo fare pak.

Ndaj protestuesit përveç planit A që lidhet me dorëheqjen e Edi Ramës a kanë plan “B” apo vetëm dalin e “shëtisin” rrugëve të kryeqytetit?

E kjo sjellë nevojën që organizatorët apo “komiteti” i tyre të dalë me emra publikisht që të përgatiten, që publiku të dijë kush janë drejtuesit dhe kë duhet të votojnë. Ndryshe duke u fshehur “drejtuesit” e protestës ka rrezik që Rama ti fusë në zgjedhje për 45 ditë sipas Kushtetutës dhe ata, pra protestuesit, të mos regjistrohen në votime.

Dhe shkojnë në zgjedhje, Rama dhe Berisha. E përfundimi dihet!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se po krijohet një Lëvizje antisistem, pra kundër Ramës dhe Berishës?