Kryeministri Edi Rama përsërit vazhdimisht pyetjen: ”Dialog, por me kë?”. Përmes një videoje të publikuar në Facebook, Rama ka përcjellë zhvillimet e fundit nga sheshi, ku pedagogë dhe intelektualë iu bashkua protestës studentore. Videoja nis me vendosjen e karrigeve përpara godinës së Kryeministrisë mëngjesin e sotëm, si një ftesë për dialog.
Rama shprehet se është i gatshëm të ulet në bisedime së bashku me qeverinë, duke theksuar se dera për dialog mbetet e hapur. “Tani, kush do dialog, unë jam në dispozicion së bashku me qeverinë”, deklaron kryeministri.
Në video pasqyrohen thirrjet e protestuesve, të cilët kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe përdorin slogane kundër qeverisë. Rama i referohet këtyre thirrjeve, duke thënë se deri në atë moment, kërkesat e dëgjuara nga sheshi ishin “dorëheqje”, “poshtë diktatura”, “poshtë komunizmi” dhe refuzimi i dialogut.
Në fund të videos shfaqet momenti i thyerjes së karrigeve të vendosura përpara Kryeministrisë, pamje që Rama e paraqet si shenjë të refuzimit të ftesës së tij për dialog.
Përmes këtij reagimi, kryeministri rikthen në vëmendje qëndrimin e tij se është i gatshëm për bisedime, ndërsa protesta vijon të shoqërohet me thirrje kundër qeverisë.
