
Erjon Vishkulli, i riu që mbeti i plagosur gjatë protestës së 24 tetorit, ka reaguar pas ngjarjeve të shënuara në tubimin e sotëm, ku deputeti Kliti Hoti u plagos me plumb gome nga një efektiv i policisë, i cili u pezullua menjëherë nga detyra.
Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Vishkulli ka kritikuar mënyrën se si institucionet reagojnë ndaj rasteve të tilla, duke ngritur pikëpyetje mbi trajtimin e pabarabartë të qytetarëve dhe përfaqësuesve politikë.
Ai ka vënë në dukje se, ndërsa në rastin e deputetit masat u morën menjëherë, qytetarët e plagosur gjatë protestave vijojnë të presin përgjigje nga drejtësia.
“Sot pamë se si, kur preket një deputet, reagimi është i menjëhershëm dhe gjendet zgjidhja brenda ditës. Ndërsa ata që kanë goditur qytetarët, që kanë lënë njerëz të plagosur deri në rrezik jete, drejtësia ende nuk ka dhënë përgjigjen që kërkon dhe meriton populli. Pse ka dy standarde? Pse drejtësia lëviz shpejt për disa, ndërsa për të tjerët hesht? Pse ky kompromis i shëmtuar?”, shkruan Vishkulli.
