
Ish-ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, ka shprehur mbështetjen e tij për të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në Shqipëri, duke dënuar njëkohësisht aktet e dhunës dhe brutalitetin e policisë ndaj protestuesve. Në një reagim publik, Bushati thekson se aspiratat, revolta dhe energjia e brezit të ri do të përcaktojnë të ardhmen e vendit, ndërsa nënvizon se kërkesat e studentëve dhe të rinjve nuk mund të shpërfillen. Ai rikujton rolin e rinisë shqiptare në zhvillimet politike të vitit 1990 dhe përpjekjet për ndryshim në vitin 1996, duke paralajmëruar se mosdëgjimi i kërkesave të shoqërisë mund të sjellë pasoja të rënda.
Postimi i plotë
Si prind jam me të rinjtë që kërkojnë një jetë me dinjitet në atdheun e tyre. Si njeri i botës universitare mbështes plotësisht kërkesat e studentëve. E ardhmja do të përcaktohet nga aspirata, revolta dhe energjia e një brezi që nuk pranon të pajtohet me atë çka u ofrohet si normalitet.
Si qytetar jam kundër akteve të dhunës dhe kundër brutalitetit të policisë. Kur Shqipëria është gjendur përpara një kthese të madhe, të rinjtë kanë ditur ti paraprijnë ndryshimit. E bënë këtë në vitin 1990. U përpoqën në vitin 1996. Por kërkesat e tyre u shpërfillën, çka paralajmëroi tmerrin e vitit 1997.
Prej muajsh rinia shqiptare është rikthyer në sheshe duke shpalosur një pasion që rreh veç në gjokset e këtij brezi. Nuk është gjithmonë i shprehur qartë, e rrallëherë është i disiplinuar. Rinia kërkon një Shqipëri të re, sepse refuzon normalizimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar në jetën publike; personalizimin e tejskajshëm të pushtetit që e trajton atdheun si plaçkë; modelin e kapitalizmit grabitqar që prodhon kosto të papërballueshme jetese, braktisje të vendit dhe polarizim shoqëror.
Injorimi i kërkesave të të rinjve dhe strategjia e përçarjes mes flamingove dhe sorrave dështoi. Nuk do të funksionojë përpjekja për ti ndarë të rinjtë në të mirë e të këqinj. As gjuha kërcënuese ndaj tyre, prindërve dhe medias. Shkopat e gomës, gazi lotsjellës, uji i hedhur me presion, apo motivimi financiar i policëve nuk e shuan dot revoltën e një brezi që di për shumë skandale dhe jeton mes vështirësive të panumërta. Aq më pak kërkimi i fajtorëve te ‘forcat e huaja’ në një shoqëri europiane, thellësisht pro-amerikane.
Të rinjtë kërkojnë një Shqipëri të re. Tani është detyrë e mësuesve, prindërve, sipërmarrësve, punëtorëve, akademikëve, dhe po, para së gjithash, e Partisë Socialiste që të ngrihet në lartësinë që e thërret koha. Partia Socialiste duhet të dallojë atë që i përket një momenti politik nga ajo që i detyrohet Shqipërisë.
