
Sali Berisha ka një thirrje për qytetarët, që të mbështesin studentët dhe të rinjtë që prej ditësh protestojnë kundër qeverisë. Përmes një videomesazhi, kreu i opozitës i ftoi qytetarët, pavarësisht bindjeve politike, t’i bashkohen protestës dhe të qëndrojnë në krah të të rinjve.
Kreu i PD-së akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përdor dhunën policore për të frenuar protestat, duke pretenduar se mbi 2 mijë të rinj, gjimnazistë, studentë dhe të mitur janë dhunuar, ndaluar ose arrestuar gjatë ditëve të fundit. Duke iu referuar situatës, lideri demokrat përdori termin “terror i kuq”, ndërsa theksoi se mbështetja e pedagogëve dhe profesorëve për studentët ka dobësuar, sipas tij, përpjekjet e qeverisë për të frikësuar protestuesit.
Në mesazhin e tij, Berisha u bëri apel qytetarëve që të kapërcejnë frikën dhe të bashkohen me të rinjtë, të cilët, sipas tij, po protestojnë përtej interesave të tyre personale. “Studentët, gjimnazistët, të rinjtë janë ngritur si feniksi nga hiri. Ata po e bëjnë detyrën e tyre. Tani është radha juaj”, u shpreh Berisha.
Kreu i Partisë Demokratike e paraqiti protestën e të rinjve si një çështje që lidhet me të ardhmen e vendit, duke kërkuar mobilizimin e qytetarëve në mbështetje të kërkesave të tyre. Në përfundim të videomesazhit, Berisha bëri të ditur thirrjen për t’u bashkuar me studentët ditën e nesërme, në orën 10:00, përpara universitetit. “Të gjithë me të rinjtë, të gjithë tek ata nesër në orën 10:00 para universitetit, gjer në fitore”, deklaroi ai.
