OSBE/ODIHR ka shprehur shqetësimin për situatën e krijuar gjatë protestave që prej tetë ditësh vijojnë në Tiranë, ku studentë dhe të rinj kanë dalë në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre. Gjatë tubimeve janë shënuar edhe përplasje mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit. Përmes një reagimi publik këtë të martë, organizata u ka bërë thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje dhe të shmangin përshkallëzimin e situatës.
OSBE/ODIHR thekson se forcat e rendit duhet të veprojnë në përputhje me ligjin dhe të mos përdorin forcë në mënyrë të paligjshme apo joproporcionale ndaj qytetarëve që protestojnë. Gjithashtu, organizata kërkon që çdo rast i dyshuar i përdorimit të paligjshëm të forcës të hetohet pa vonesa dhe në mënyrë të pavarur. Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, deri më tani janë arrestuar 271 persona në lidhje me protestat, mes të cilëve edhe një numër i konsiderueshëm të miturish.
“Të shqetësuar nga raportimet për dhunë gjatë protestave në Shqipëri, ODIHR u bën thirrje të gjitha palëve të ruajnë paqen. Forcat e rendit duhet të shmangin përdorimin e paligjshëm ose joproporcional të forcës ndaj protestuesve, ndërsa çdo rast i përdorimit të paligjshëm të forcës duhet të hetohet menjëherë dhe në mënyrë të pavarur”, thuhet në reagimin e OSBE/ODIHR.
