FOTO/ Tymi mbulon qendrën e Tiranës, zjarri merr përmasa të mëdha
Revolta e studentëve vijon edhe këtë të mërkurë. Situata në Kryeqytet paraqitet shqetësuese, pasi në qendër të Tiranës janë konstatuar dy vatra zjarri, të cilat kanë shkaktuar shtëllunga të mëdha tymi të zi. Tymi i dendur është përhapur në zonat përreth, ndërsa reja e zezë është e dukshme edhe nga distanca të largëta, duke tërhequr vëmendjen e qytetarëve. Në zonë nuk është konstatuar ende ndërhyrja e forcave zjarrfikëse. Shkaqet e zjarreve dhe përmasat e situatës mbeten për t’u sqaruar.
Kurse filiali i institucionit financiar ”Iute Credit” që ndodhet në hyrje të “Rrugës së Durrësit” është djegur totalisht. Sot biznesit të mikrokredive i është vendosur flaka e madhe. Ditën e djeshme, protestuesit e shkatërruan dhe i morën mobiliet për t’i djegur në rrugë. Një prej tyre shkatërroi edhe bankomatin, madje edhe po gërmonte në të. Sakaq nga zjarri po rrezikon edhe pallati që është ngjitur.
Më parë edhe godina e Ministrisë së Arsimit u sulmua molotov nga protestuesit, duke shkaktuar zjarre në katin e parë dhe të dytë. Protestuesit bërtisnin në kor “Digje! Digje!”, teksa ndaj godinës hidheshin lëndë plasëse. Pas disa minutash, forcat e policisë ndërhynë duke larguar demonstruesit dhe duke u vënë në lëvizje për të shuar zjarrin.
Rruga e Durrësit është shndërruar në një arenë përplasjeje mes studentëve protestues dhe policëve, për të dytën ditë radhazi tashmë. Më parë tubuesit shkatërruan degën e një banke të nivelit të dytë aty pranë, duke thyer derën kryesore dhe duke nxjerrë dokumente nga raftet. Deri tani nuk ka njoftim zyrtar nga ana e policisë për persona të arrestuar, por gjatë ditës ka pasur shoqërime.
Po ashtu studentët kanë njoftuar për zhvillimin e protestës së radhës ditën e nesërme në orën 10:10, përpara Korpusit të Universitetit Politeknik të Tiranës (UPT). Njoftimi vjen në një kohë kur vijojnë përplasjet mes protestuesve dhe forcave të policisë në Rrugën e Durrësit, ku situata është tensionuar pas përdorimit të gazit lotsjellës dhe ngritjes së barrikadave nga protestuesit.






