
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë ka dënuar pengimin e Policisë së Shtetit ndaj gazetarëve duke cenuar lirinë e tyre dhe informimin e qytetarëve. Në një deklaratë, AGSH shprehet se efektivët kanë vendosur kordonë sigurie për të bllokuar gazetarët. Asosacioni ka dokumentuar 40 raste të sulmeve ndaj gazetarëve. Asociacioni kërkon përgjegjësi nga kryepolici Skënder Hita pasi pengimi i gazetarëve është i pajustifikueshëm.
Deklarata e Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon ashpër veprimet e Policisë së Shtetit, e cila vijon të pengojë në mënyrë të papranueshme gazetarët dhe ekipet televizive në ushtrimin e detyrës së tyre.
Ndërkohë që ngjarjet zhvillohen qindra metra larg, Policia e Shtetit vendos kordone për të bllokuar gazetarët, duke u mohuar atyre mundësinë për të dokumentuar dhe raportuar atë që po ndodh.
Kjo nuk është mbrojtje e rendit publik. Kjo është pengim i drejtpërdrejtë i lirisë së medias dhe i së drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Pas 40 incidenteve të dokumentuara gjatë ditëve të fundit, ku gazetarët janë dhunuar, kërcënuar, goditur me plumba gome dhe penguar sistematikisht nga efektivët e policisë, kjo situatë është e patolerueshme.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e strukturave që drejton. Nuk mund të ketë më justifikime për pengimin e vazhdueshëm të gazetarëve dhe shkeljen e të drejtave të tyre themelore.
AGSH u bën thirrje të gjitha mediave shqiptare dhe drejtuesve të redaksive që të reagojnë publikisht dhe pa ekuivoke ndaj dhunës dhe pengimit të gazetarëve të tyre.
Heshtja e mediave përballë dhunës ndaj gazetarëve të tyre është braktisje e atyre që çdo ditë rrezikojnë sigurinë personale për të informuar publikun.
