1-vjetori i aksionit të OSHEE-së, Çela: Nuk jemi më barrë e buxhetit

 

Në 1-vjetorin e nisjes së aksionit për mbledhjen e borxheve nga debitorët e energjisë elektrike, kreu i OSHEE-së, Ardian Çela tha se falë këtij aksioni dhe investimeve në rrjet, kompania që ai drejton është shndërruar nga barrë, në kontribuese në buxhetin e shtetit.

“Mbledhja e borxheve dhe ulja e humbjeve kanë pasuar një përmirësim të qëndrueshëm të treguesve ekonomikë dhe financiarë të kompanisë. Nëse në 2013 kompania ishte me humbje, këtë vit pritet një bilanc pozitiv me 10 miliardë lekë. Sot kompania nuk është më barrë e buxhetit të shtetit, por kontribuon me 3 përqind të të ardhurave doganore dhe tatimore”, tha Çela.

Kreu i OSHEE-së vlerësoi të suksesshëm aksionin për mbledhjen e borxheve, ndërsa tha se kompania është duke ndërmarrë një sërë investimesh të mëdha për uljen e humbjeve në rrjet.

Çela deklaroi se humbjet, nga mbi 40 përqind që ishin para dy vitesh, janë ulur në 25 përqind për muajin shtator dhe objektivi është vazhdimi i këtij trendi edhe në muajt në vazhdim përmes investimeve që do të modernizojnë rrjetin./TCH

SHKARKO APP