100 puntatat e Roland Qafokut

“Mbrëmë ishte puntata e 100-të dhe e fundit e këtij sezoni e emisionit “Dekalog” në RTSH 24. Që nga 4 janari kur mori udhë e deri më sot kanë qenë po aq tema të trajtuara në 200 orë transmetim Live, çdo të hënë, të martë, të mërkurë dhe të enjte. Kanë qenë mbi 400 të ftuar në studio dhe lidhje me skype, kanë qenë me dhjetra gazetat, portalet e deri televizionet që kanë publikuar dhe transmetuar lajme referuar posaçërisht këtij emisioni dhe me mijëra ata që na kanë ndjekur, kanë komentuar dhe kanë dërguar pyetje për të ftuarit në studio. Kam bindjen se temat aktuale, inserti me 10 fakte, analistët, gazetarët dhe specialistët e ftuar që nuk bëjnë xhiro në ekrane të tjera, e kanë bërë këtë emision të veçantë dhe të zërë vend shumë shpejt në tortën e emisioneve politike në televizione. Janë të dhëna dhe shifra që tregojnë suksesin e këtij emisioni, e konfirmuar kjo nga ndjekësit në ekran dhe sidomos në rrjetet sociale, facebook, youtube, twitter, në të cilat shikueshmëria është rritur ndjeshëm. Janë pikërisht këta shikues dhe ndjekës që për mua mbeten përherë Zotat e mi. Me këtë rast, unë së pari falenderoj drejtuesit e Radio Televizionit Shqiptar që e mbështesin këtë emision. Falenderoj të ftuarit që janë bërë pjesë e emisionit duke i dhënë atij cilësi dhe identitet. Falenderoj stafin realizues që nga kameramanët, transmetimi, montazhi, grimi, garderoba, ndriçimi e deri te mirëmbajtësit e studios. Falenderoj në mënyrë të veçantë stafin tim të ngushtë që duket në foto për punën profesionale, plot pasion dhe korrektesë. Shihemi në shtator në sezonin e ri. Pushime të mbara!” -shkruan Roland Qafoku.

SHKARKO APP