12 muajt e Shqipërisë në 2020/Ngjarjet e këndshme, qesharake dhe tronditëse
Edhe pak ditë dhe ikën 2020, ky vit i mbrapshtë do të mbyllet me një bilanc të rëndë jo vetëm nga pandemia e Covid-19.
Janari, muaji i skandaleve
Janari i vitit 2020 nuk nisi në mënyrën më të qetë të mundshme dhe jo për çudi. Pak javë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019, janari nuk ishte fort pozitiv. Nëpër studio televizive dhe emisione trajtoheshin vazhdimisht historitë e të prekurve të tërmetit, si për shembull letra e 8-vjeçares së ndjerë Esjela Karanxha te “Dua të të bëj të lumtur”. Në janarin e zhurshëm patëm edhe disa skandale dhe përplasje mediatike që bënë jo pak bujë. Përpos kësaj, debatet e “Festivalit të Këngës” vazhdonin. Njerëzit në Twitter duket se nuk e pranonin faktin që Elvana Gjata nuk do të ishte në Eurovision, sa shpërndanë edhe zëra se ajo do të përfaqësonte San Marinon. Në fund të muajit, nëpër media u transmetua intervista e një studenteje shqiptare në Kinë, e cila shpjegoi përvojën e saj në një situatë kaotike pas përhapjes së virusit në Wuhan. Bota vazhdonte jetën si normalisht. Virusi ishte në Kinën e largët. Sa naivë!
Shkurti, muaji i çuditshëm
Edhe në shkurt, virusi ishte ende në Kinën e largët dhe tek-tuk në ndonjë vend tjetër nëpër botë. Rreth 10 muaj më parë, ne mjaftoheshim me disa dallime kyçe mes koronës, gripit dhe ftohjes. Në mes të muajit lexuam për herë të parë Covid-19, që do të bëhej më vonë termi më i përdorur i vitit. Shkurti ishte një muaj me dy anë medaljeje: Flitej për virus dhe festivale. Alketa Vejsiu realizoi ëndrrën e saj dhe prezantoi në Sanremo. Në shkurt vdiq Nexhmije Hoxha, gruaja e diktatorit Enver Hoxha. Një ekip me mjekë dhe infermierë shqiptarë u nisën drejt Italisë për të ndihmuar kolegët e tyre në Bergamo, gjest që mori vëmendje ndërkombëtare.
Marsi, muaji i karantinës
Pak ditë pasi interneti u qetësua me thumbimet Loredana-Mozzik apo memet e Blendi Fevziut për koronavirusin, në Shqipëri, 9 mars, u konfirmuan dy rastet e para me Covid. Kaq u desh që pastaj interneti të merren me “a e lufton rakia e hudhra Covidin”. 11 mars, OBSH shpalli koronavirusin pandemi. Në Shqipëri nis vetë-karantimi. Gjithë çfarë pasoi më pas ishin koncerte nga shtëpia, pastrim i shtëpisë, stërvitje në shtëpi, gatime në shtëpi dhe gjithçka tjetër në shtëpi. Kushdo që vepronte ndryshe, merrte gjobë. Shqiptarët u degdisën në TikTok. Vajzat prenë flokët.
Prilli, muaji i dilemave
Prilli ishe padyshim muaj dilemash: Kur do mbarojë karantina, sipas Pëllumb Piperos; kur do hapen baret dhe restorantet, sipas Pëllumb Piperos; a do zhduket virusi në verë? Ç’mendon Pëllumb Pipero? Pipero tha në prill se fundi i epidemisë ka nisur, por sot, funddhjetori, nuk e dimë se kur e parashikon Pipero fundin. Gjithsesi, prilli na gjeti duke parë filma, madje edhe filma të panevojshëm (Lingo-Lingo???). Ah, në fund të muajit Ina dhe Geri u larguan nga “Për’Puthen”. Epoka e largët kur “Për’Puthen” përmendej vetëm një herë në javë.
Maji, muaji i trazirave
Maji i 2020-s ishte një maj jotipik. Atmosfera pranverore nuk u ndje aspak, përkundrazi ndodhën disa ngjarje të njëpasnjëshme që tronditën jo pak opinionin publik. Së pari ishte shembja e godinës së Tetrit Kombëtar, pasuar nga dhuna policore ndaj një të mituri që theu karantinën. Në fund të muajit, njerëzit u morën edhe me “A do të largohet Portokallia nga Top Channel?”.
Qershori, muaji i ndryshimit
Qershori nisi me ndryshime. “Hostel by Anabel” njoftoi përfundimin e rrugëtimit 3-vjeçar; Ronela njoftoi ndarjen nga Young Zerka; Klea dhe Elgiti u bënë prindër; Ledri dhe Sara po përfliteshin për një pritje të ëmbël etj. Qershori ishte një miks situatash, shpeshherë edhe mjaft të debatueshme, si rasti i psikologes pa licensë në jetimoren e Shkodrës apo Turi i famshëm i provimit të maturës. Ah, u largua edhe Antoneta nga “Për’Puthen”. Në përgjithësi, qershori ishte i lumtur. Përfundoi gjendja e jashtëzakonshme dhe më në fund guxuam të përmendnim plazhin. Flitej për vaksinat.
Korriku, muaji i plazhit dhe jo i plazhit
Si pothuajse shumë muaj të tjerë, edhe korriku kishte në qendër virusin, por të përzierë me diskutimet “shkoni në plazh, por kini parasysh…”. Rinisën fluturimet ndërkombëtare, ndonëse iu dha prioritet turizmit vendas. Padyshim që ngjarja më e diskutuar në këtë periudhë ishte rasti tronditës i familjes Josifi. Në fund të korrikut u raportua edhe një nga simptomat më të diskutuara të Covid: Humbja e nuhatjes dhe shijes! Flitej për vaksinat.
Thjesht gusht
Për gushtin nuk do të themi asgjë. Në përgjithësi ishte i qetë. Le ta shpallim Muajin e Vitit. (Flitej për vaksinat, e ritheksojmë).
Pothuajse shtator
I japim shtatorit vendin e dytë si Muaji i Vitit. Nuk ndodhi ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Në fakt, filloi rritja e numrit të të infektuarve me Covid, por le ta mbajë tetori këtë barrë mbi supe. Vazhdonin diskutimet për vaksinat.
Tetori, muaji i sherreve dhe debateve pasivo-agresive
Nuk dimë të ketë pasur një muaj më të zhurmshëm se tetori. Të zhurshmshëm në kuptimin e parë të fjalës. Kujtojmë të bërtiturat e Shqipes në “Për’Puthen” dhe çdo sherr tjetër të emisionit. Një muaj i çuditshëm tetori. Të paktën gjetëm pak ngushëllim te postimet e ëmbla të Ledrit dhe Sarës dhe te fakti që vaksina pritej të konfirmohej. Maska u bë e detyrueshme kudo.
Tetor, part II
Nuk pati nëntor. Ishte thjesht një tetor i tejzgjatur. “Për’Puthen” iu bashkua “Love Story”. Rastet e rritura me Covid u pasuan nga vendosja e masave kufizuese në të gjithë vendin. Të paktën, për herë të parë u krijua një vaksinë mbi 90% efektive.
Dhjetori, muaji i shpresës
Dhjetori nisi me një moment historik për pandeminë sepse u miratua vaksina e parë për Covid në Mbretërinë e Bashkuar. Më pas, u miratua dhe një tjetër. Por nëse situata e Covid dukej nën kontroll, gjendja brenda Shqipërisë u trondit nga rasti i 25-vjeçarit Klodjan Rasha, i cili u vra nga një efektiv i policisë. Ngjarja tronditëse nxiti protesta të dhunshme kryesisht në kryeqytet duke sjellë në vëmendje raportin polici-qytetar dhe kualifikimin e efektivëve të policisë. /Anabel/