2 kandidatë për kryetar të PD, deputeti del kundër: Nuk e njohim procesin
Lulzim Basha dhe Gjergji Hani do të jenë përballë në garën e 29 korrikut, por deputeti demokrat Bledion Nallbati, thotë se grupi i deputetëve që bojkotuan mbledhjen e Këshillit Kombëtar nuk do ta njohin procesin e zgjedhjes së kryetarit.
Ai u shpreh se do të ndjekin të gjitha hapat ligjorë dhe statutorë që ky proces të anulohet dhe nëse kjo nuk ndodh, nuk do ta njohin.
“Nëse vazhdon në mënyrë të njëanshme, nuk e njohim dhe nuk jemi pjesë e tij. Procese organizoj edhe unë në shtëpinë time po të dua, antistatutorë. Nuk mund të punojmë me dy standarde, nëse pranojmë këtë proces të njëanshëm, do të duhet të njohim edhe grupimin e Berishës, se po ndodh e njëjta gjë. Shpresoj të ketë një reflektim, se me një proces antistatutor nuk biem dakord. Do ndjekim rrugën ligjore për ta anuluar këtë proces”, tha deputeti demokrat për ”Euronews Albania”.