35 % e gjyqtarëve kanë mbi 300 mijë euro pasuri me një pagë mujore 100 mijë lekë!

 

 

Po bëjnë presion gjyqtarët mbi politikën. Kreu i komisionit parlamentar të Ligjeve, Fatmir Xhafaj, ka lëshuar një deklaratë “bombë” pak ditë më parë, por që ka kaluar pa u vënë re nga media, me dashje, apo pa dashje. Xhafaj, i cili po merret me reformën në drejtësi, duke lexuar një dokument, tha se mbi 35 për qind e gjyqtarëve në Shqipëri, kanë një pasuri mbi 300 mijë euro, një pasuri që nuk justifikohet me të ardhurat prej 700 apo 1 milionë lekësh të vjetra që ata kanë marrë si rrogë mujore.

Sipas Xhafajt, reforma e re që po synohet të bëhet, është nxjerrja jashtë sistemit e këtyre gjyqtarëve që kanë krijuar pasurinë pa e justifikuar atë. Por, vërehet se kjo kastë gjyqtarësh e prokurorësh, është duke bërë presionin maksimal, duke përdorur edhe mekanizma të influencës në politikë e në sistem, për të mos lejuar bërjen e reformës në drejtësi. “Po i qëndroj konstatimit, faktit: që ka gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar kjo është një gjë e padiskutueshme. Natyrisht nuk janë të gjithë. Dhe për ta ilustruar po jap një shifër një analizë. 35 për qind e gjyqtarëve të Republikës, kanë një pasuri mbi 300 mijë dollarë. Nëse me rrogën e zakonshme, me 1 milionë lekë, bën një pasuri 300 mijë euro ,sepse baza është 300 mijë euro, por shkojnë edhe 2 milionë euro, edhe 3 milionë euro pasuri, me statistika. Pra është një situatë e rëndë. Sa i përket aspektit nëse do të ndjejnë presionin unë mendoj se po. Kjo pjesë e korruptuar e sistemit është duke ushtruar presionin politik dhe institucional për të deformuar qëllimin e kësaj reforme. Që do të thotë për të mos shkuar te komponenti kryesor i reformës për të nxjerrë jashtë sistemit gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar. Kjo do të jetë pjesë e implementimit të reformës. Zbatimi i ligjit të ndëshkon apo të vlerëson. Reforma do të krijojë instrumentet kushtetues për t’i shpëtuar çdo lloj selektiviteti në ndëshkim ligjor, të cilët përmes mekanizmave do të bëjnë vlerësimin e pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe profesional të tyre. Kjo do të fillojë nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, nga Prokuroria e Përgjithshme duke zbritur te prokurorë dhe gjyqtarë të niveleve të ulëta” tha Fatmir Xhafaj, kreu i Komisionit Parlamentar të Ligjeve.

Kjo që thotë Fatmir Xhafa është tronditëse sepse verteton se sistemi i drejtësisë mbetet tejet i korruptuar. Ndaj ka nevojë për reformë drastike.

SHKARKO APP