600 përfitues nga Amnistia, kategoritë e të burgosurve që do të lënë qelitë
600 persona mund të fitojnë lirinë nga qelitë e burgimit, falë ligjit për “dhënie amnistie” të përgatitur nga Ministria e Drejtësisë. Në draft është parashikuar përjashtimi nga dënimi me burg, me gjobë apo ai alternativ, i personave të dënuar me vendim të formës së prerë për vepra të lehta penale, për dënime të dhëna deri më 30 qershor 2016.
Lirinë nga burgu e fitojnë meshkujt e dënuar deri në 3 vjet burg dhe gratë e dënuara deri në 4 vite burg, pavarësisht nga koha e mbetur e dënimit. Qelinë e lënë edhe të dënuarit meshkuj, që deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, iu ka mbetur pa vuajtur deri 3 vite burg e po ashtu, gratë që iu ka mbetur pa vuajtur deri 4 vite burgim.
Lirinë do ta shijojnë, sipas draftit, edhe të dënuarat femra, që në datën e hyrjes në fuqi të ligjit, janë baraz ose mbi moshën 50 vjeç, si edhe meshkujt baras ose mbi 65 vjeç. Por jo çdo i dënuar që plotëson këto kritere kohore përfiton nga amnistia.
Në nenin 4 të projektligjit, listohen kriteret ndaluese, që përjashtojnë nga përfitimi të gjithë të dënuarit për krimet të rënda, mes të cilave, vrasje, terrorizëm, a krime seksuale. Po ashtu përjashtohen të dënuarit, apo personat nën hetim për krimet zgjedhore, për lojërat e fatit, si edhe personat që i janë fshehur drejtësisë.