98 persona të zhdukur pas flakëve në “Norman Atlantic”

Ndërsa Prokuroria e Barit ka nisur hetimet për të zbuluar shkaqet që shkaktuan tragjedinë e 28 dhjetorit në ujërat e Korfuzit, roja bregdetare italiane, pas verifikimeve zyrtare, i ka dorëzuar Ministrisë së Punëve të Jashtme, Prokurorisë së Barit dhe qeverisë helene, listën emërore të 477 pasagjerëve që janë shpëtuar në anijen “Norman Atlantic”.

Tashmë të dy qeveritë do të mund të përballin edhe listat me emrat që kanë imbarkuar në anije kur ajo është nisur nga porti i Patrasso në Greqi.

Por ndërsa zyrtarisht viktima të këtij incidenti në det të hapur kanë mbetur 11 persona, mediat greke dhe ato italiane publikojnë shifra kontradiktore, duke hapur edhe polemika mes dy shteteve, mbi numrin e personave që rezultojnë të zhdukur.

Autoritetet greke këmbëngulin se numri i personave të zhdukur është 18, ndërsa autoritetet italiane sëbashku me prokurorinë e Barit flasin për 98 persona, që mungojnë në listat e pasagjerëve.

Këtë fakt, mediat greke e e justifikojnë me listat emërore që disponojnë autoritetet italiane, të cilat janë të tejfryra pasi në to gjenden emra të duplikuar dhe të regjistruar më shumë se një herë.

Ndërkaq anija greke “Norman Atlantic ” e lidhur me rimorkiatorin “Merietta Barretta” vijon lundrimin e saj drejt Brindisit, por gjithçka është vështirësuar për shkak të motit të keq me shi dhe erëra të ftohta.

Personi që është larguar i fundit nga “Norman Atlantic “, komandanti i tragetit Argilioi Giacomazzi, tashmë konsiderohet nga italianët një hero i vërtetë.

Megjithatë për mediat ai është shfaqur i lodhur, ndërsa ka kërkuar mirëkuptimin e mediave për të mos e vlerësuar më si një hero, por si një njeri që thjesht ka bërë detyrën e tij.

Në fakt, gadishmëria e komandantit të “Norman Atlantic” duket edhe në këtë video të shfaqur në mediat italiane, të fiksuara përmes telefonit celular nga dy pasagjerë turq, në momentet kur ata janë njoftuar se anija është nën flakë dhe duhet të ngjiten në bashën e saj.

SHKARKO APP