A i bën mirë Metës distancimi nga Berisha?

Nga Lindita Kokoli dhe Daniel Muçaku-

Ilir Meta më 24 korrik të këtij viti dorëzon mandatin e kryetarit të shtetit shqiptar. Me 25 korrik ai është një ish-president dhe me sa duket edhe lideri i forcës politike të cilën e krijoi, pra LSI.

Ai zbret në shesh, por gjen edhe një tjetër “luan” në Bulevard, ndonëse luan 90 vjeçar, por gjithsesi luani mbetet luan!

Opozita ka nevojë për riformatim total, me një strategji e përbashkim të ri, jashtë traditës së këtyre dekadave, gjithnjë nëse duan të thithin pjesën gri të votuesve.

Vetëm Berisha dhe Meta, me “ushtarët” që kanë sot, nuk e rrëzojnë perandorinë e Edi Ramës.

Sado të përbetohen të dy, nuk mjaftojnë fjalët. Duhen votat në kuti që ta përmbysin. Por votat nuk vijnë më si dikur, tani rinia ka ikur, emigruar. Pjesa e pensionistëve zakonisht voton PS-në. Ndaj do të vendosë emigracioni dhe pjesa gri në Shqipëri, sepse pak a shumë anëtarsia dhe militantët dihen se si radhiten.

Por krijimi i një FRONTI Berisha-Meta do të ketë përballë një mur të lartë që është SHBA, të cilët nuk e pranojnë ish-kryeministrin Berisha. Me të drejtë apo jo, ky është fakt dhe të jesh “armik” në Uashington është shumë e vështirë të marrësh pushtet në Shqipëri.

Ndaj a ia vlen që Ilir Meta të rreshtohet me PD-në e Sali Berishës?

Ditët e fundit pati një shkëndijë flake mes të dyve për dekretin e Presidentit Meta nga Stambolli në lidhje me emrin e presidentit të ri.

Sido të ishte firma, kushtetuese apo jo, nuk mund ta ndalonte Ilir Meta një zgjedhje të tillë. Përkundrazi do të merrte mbi supet e tij sulme dhe akuza në muajin e fundit të karrierës së tij presidenciale. Bile edhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe më lart se ajo.

Ndaj Ilir Meta veproi mirë, të paktën politikisht.

Ish-kryeministri Berisha edhe mund ta kishte lidhur disi gjuhën e sulmit ndaj presidentit dhe kandidatit për aleat nesër në opozitë. Por Berisha foli me zeher nëpër dhëmbë ndaj mikut të tij president. Në fakt pa shkuar larg, fiks me 6 mars ishte Presidenti Meta që e ktheu në lojë ish-kryeministrin demokrat, paçka se votat në radhët demokrate i ka Saliu. Nëse nuk do të dekretonte zgjedhjet e pjesshme vendore, Ilir Meta, akoma PD do të kishte Lulzim Bashën në krye.

Ishte Ilir Meta që ia vuri topin te pika e penalltisë, Sali Berishës dhe ai e bëri gol. Gol në portën e tij demokrate, pasi te Rama nuk arrin topi berishian, të paktën për momentin.

“Ai më ngjau ekzakt, më rikujtoi Ali Pashën, trupi në Janinë e kokën në Stamboll”, tha Berisha për Ilir Metën kur firmosi dekretin e Bajram Begaj në Stamboll.

Ironi dhe tallje me shumë se kaq nga Berisha për presidentin Meta nuk mund të kishte, pasi ndryshe do të ishte shpallje lufte. Ndërkohë Meta iu përgjigj me kujdes, por me kunjë brenda.

“Se çfarë thotë Berisha për dekretin për Begaj, është e drejtë e tij. Procedura e ndjekur ka qenë e qartë dhe plotesisht transparente. Procedura e firmosjes së këtij Dekreti është vetëm në zbatim të Kushtetutes. Dekreti ka ardhur në mënyrë elektronike nga Tirana në Stamboll.

Pasi u shqyrtua nga unë dhe pasi e lexova, e firmosa publikisht dhe u dergua elektronikisht në Tiranë. Çdo veprim i imi ka qenë në përputhje me Kushtetuten dhe në perputhje me ligjin. Në planin kushtetues zero problem, në planin ligjor zero problem, në planin moral zero problem” – tha Meta.

Ish-kryeministri demokrat deklaroi se është shkelje e pastër Kushtetute. Pra e rrëzon Ilir Metën.

Të dy janë ish-kryeministra, ish-presidentë dhe të dy do të jenë në opozitë.

Por a është momenti që Ilir Meta t’i thotë “bye-bye”, Sali Berishës?

SHKARKO APP