Abazi: E kemi fituar mandatin në Tiranë, 17 mijë vota të pavlefshme, do të kërkojmë rinumërim

Boiken Abazi, kandidat i pavarur i mbështetur nga Lëvizja Vetëvendosje, përmes një postimi në Facebook shkruan se nëse vendoset drejtësi për krimin e elektoral ekziston mundësia që ta fitojë mandatin në Tiranë.

Abazi thekson se rezultatet paraprake tregojnë se ka marrë vota në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës.

“Të vendoset drejtësi për krimin elektoral! Nuk është largmendsh ta kemi fituar mandatin në Tiranë. Rezultatet paraprake tregojnë se kemi marrë vota në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës, në qytet e në fshat, nga Shën Gjergji në Rrogozhinë, nga Vora në Kavajë, nga Kamza në lagjet e qendrës së Tiranës. Kjo është edhe arsyeja pse shumica e votave tona janë shpallur të pavlefshme duke vendosur një “X” të dytë në fletën e votimit, ose duke ia kaluar subjekteve të tjera politike (kryesisht te PS)”,- tha Abazi.

Abazi shton se janë mbi 17 000 vota të pavlefshme vetëm në Tiranë dhe se ai ka marrë 3000 vota në kryqytet duke shtuar se do të kërkohet hetim për rinumërim.

“Deri tani janë shpallur mbi 81.000 vota të pavlefshme në rang Republike dhe mbi 17.000 vota të pavlefshme vetëm në Tiranë. Pas vjedhjes industriale që na kanë bërë, i kemi tashmë rreth 3.000 vota në Qarkun Tiranë sipas rezultateve paraprake të KQZ-së. Ne do të kërkojmë hetim të plotë dhe rinumërim në të gjithë Qarkun e Tiranës për të gjitha qendrat e votimit! Ekipi ynë ligjor ka dalë në përfundimin se ekziston realisht mundësia ta kemi fituar mandatin në Tiranë”,- tha Abazi.

Biken Abazi së bashku me kandidatin tjetër të Lëvizjes Vetëvendosje, Kreshnik Merxhani denoncuan disa herë gjatë numërimin prishjen e votave duke u vendosur një x të dytë fletës ku sipas atyre, ishin votuar këta kandidatë.

SHKARKO APP