Admir Tafili ‘fundos’ Kristi Pinen: Manin e vrau për gjakun e dajës, nuk e porosita unë
Admit Tafili, i konsideruar si kreu i grupit të vrasësve me pagesë, ka dhënë sot dëshmi tronditëse për të tjera ngjarje të rënda. Tafili dëshmoi sot para trupës gjykuese njohjen dhe takimet e tij me Kristi Pinen, i dyshuar si vrasës me pagesë, që urdhërohej nga Admirit.
Ndër të tjera Tafili ka mohuar të ketë qenë urdhëruesi i ekzekutimit të Brahim Manin, ndërsa theksoi se atë e ka vrarë Pine për të marrë gjak për vrasjen e dajes së tij. “Kristi Pine më ka thënë se Mani ishte hasmi i tij”, tha Tafili.
GRUPI KRIMINAL
Të pandehur si pjesëtarë të grupit kriminal janë Elson Merdani, Dritan Peksani, Alfred Qefalia, Adrian (Isuf) Uzuni, Klajdi Shermadhi, Aleksandër Gora, Fatos Koka, Albano Beqiraj, Dhimitër Zito, Kalem Hyka, Besnik Daci dhe i penduari Kristi Pine. Ndaj këtij grupi rëndojnë akuzat e “Vrasjes me paramendim”, në bashkëpunim, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar”.
I PENDUARI KRISTI PINE
Kristi Pine ka pranuar se ka kryer disa vrasje kundrejt pagesës, të porositura nga ana e Admir Tafilajt (i dënuar me burgim të përjetshëm), të cilin e ka njohur gjatë kohës që ka vuajtur dënimin me burg në I.E.V.P Bradashesh-Elbasan. Gjatë dëshmive që ai ka dhënë para Oficerëve të Policisë Gjyqësore, ka shpjeguar mënyrën e kryerjes së këtyre krimeve si dhe vendin e fshehjes së armëve të krimit, lidhjet kriminale dhe personat që kanë dijeni në lidhje me këto krime. Gjithashtu, ai ka shfaqur pendesë në lidhje me krimet e kryera nga ana e tij dhe ka pranuar të bashkëpunojë me shërbimet e Policisë Gjyqësore. Pine ka treguar vendin se ku mbante të fshehur dy armë zjarri me të cilat kishte planifikuar të kryente një krim në Durrës. “Nga hetimet rezultoi se: Pine në bashkëpunim me Admir Tafilajn, Elson Merdanin dhe Dritan Peksanin, kanë kryer veprën penale të ‘Vrasjes’ së shtetasit Ibrahim Mani; Kristi Pine në bashkëpunim me Admir Tafilajn, Alfred Qefaliajn dhe Ardian Ozunin kanë kryer veprën penale të ‘Vrasjes së ngelur në tentativë’ të shtetasit Edmond Çakmashi; Pine në bashkëpunim me Admir Tafilajn dhe Aleksandër Gorën kanë kryer veprën penale të ‘Përgatitjes për vrasjen’ e Leonard Muratajt; Kristi Pine në bashkëpunim me Fatos Kokën, Elson Merdanin dhe Albano Beqirajn kanë kryer veprën penale të ‘Përgatitjes për vrasjen’ e shtetasit Majlind Lila. Gjithashtu, Kristi Pine, Elson Merdani, Alfred Qefalia dhe Ardian Ozuni dyshohet se kanë kryer veprën penale të ‘Mbajtjes pa leje të armëve luftarake’. I pandehuri Dhimitër Zito veprën e ‘Moskallëzimit të krimit’ dhe të pandehurit Admir Tafilaj, Kalem Hyka dhe Besnik Daci veprën penale të ‘Vetëgjyqësisë’”, shkruhet në dosjen e prokurorisë.
Sakaq, nga hetimet ka rezultuar se gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient të përshtatur si magazinë në rrugën “Henrik Lace”, në katin e parë të kompleksit të pallateve “Gara-Jon”, në përdorim dhe çelësat e të cilës mbaheshin nga Kristi Pine, janë gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip “Scorpions” me numër të stampuar në trup 52755, së bashku me krehrin me dhjetë copë fishekë luftarakë të kalibrit 7.65 mm; një armë zjarri tip pistoletë pa krehër me mbishkrimin “Smith & Ëesson” dhe me numra TDC 9670 mod 9604 me silenciator; një silenciator në formë cilindrike me diametër 3 cm dhe gjatësi 17.5 cm; pesë copë fishekë me mbishkrimin “S&B” 9×21 dhe MKF 9P; një qese plastmasi me mbishkrimin “Adidas” si dhe një qese plastmasi me mbishkrimin “Kurtbey”.
Vrasja e Brahim Manit
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se Kristi Pine, Admir Tafilaj, Elson Merdani dhe Dritan Peksani, më datë 25.06.2014, në qytetin e Shkodrës kanë ekzekutuar me armë zjarri shtetasin Ibrahim Mani. Dyshohet se vrasja mund të jetë kryer për motiv hakmarrjen mes familjeve Mani dhe Prroni nga Shkodra. Brahim Mani ka qenë në hasmëri me familjen Prroni nga fshati Oblike, pasi në vitin 1993 Shuaip Prroni ka vrarë me armë zjarri Hysni Manin (vëllai i Brahimit). Pas disa vitesh, Shemsi Mani (babai i Brahimit) ka vrarë Shuaip Prronin. Familja Prroni ka dashur të marrë hak ndaj Shemsi Manit, por ky i fundit ka vdekur për shkaqe natyrale dhe, ndodhur në këto rrethana, Tarzan Shuaip Prroni, i biri i Shuaip Prronit, ka dashur të vrasë vëllain e Shuaipit, Brahim Manin. Për këtë vrasje dyshohet se ai ka kontaktuar në burg me Admir Tafilajn, me të cilin ka njohje për të porositur këtë vrasje. Po ashtu, vrasja mund të jetë kryer edhe për shkak të faktit se Tafilaj ka pasur dyshime se Ibrahim Mani mund të ketë dhënë informacion te persona të tjerë me të cilët Admiri dhe familja e tij kanë hasmëri. Kështu, nga hetimet ka rezultuar se Admir Tafilaj ka porositur Kristi Pinen për të realizuar vrasjen e Brahim Manit, i cili është vrarë më 25.06.2014. Për arritjen e qëllimit kriminal, Kristi Pine ka siguruar armët nga Elson Merdani (kunati i Tafilajt), i cili ka qenë në dijeni të planit për vrasjen e Manit. Armët i janë dhënë në Tiranë. Në deklarimet e tij, Kristi Pine ka shpjeguar se: “Një ditë, në muajin maj 2014, unë kam shkuar në Tiranë dhe jam takuar me Elson Merdanin. Jemi takuar në afërsi të ish-Ekspozitës, në një lokal. Aty Elsoni më ka thënë se kishte një porosi nga Admir Tafilaj për të vrarë një person në Shkodër dhe më pyeti nëse isha dakord që ta vrisja unë. Ai më tha se ishte një vrasje që paguheshin pak lekë, por ishte vrasje e thjeshtë, që do bëhej në këmbë, dhe jo me makina apo motorë. Elsoni nuk më tha se kush ishte apo ku rrinte në Shkodër, por unë kam rënë dakord. Elsoni më tha që të mos e vrisja mendjen për armë apo për lekë… Unë Elsonin e kam takuar dhe pasi u përshëndetëm ai më ka dhënë një çantë të zezë shpine dhe disa lekë, se ishin porosi e Admirit. Ai më pas u largua… Aty kam hapur çantën dhe kam parë që brenda kishte një armë pistoletë tip ‘Zastava’ me fishekë 7.65 mm, të cilët nuk ishin të vendosur në krehër. Ajo kishte dhe një silenciator që ia kam montuar në shtëpi…”. Për të kryer njohjen e personit dhe gjetjen e banesës në qytetin e Shkodrës, Admir Tafilaj dhe Elson Merdani e kanë lidhur Kristi Pinen me Dritan Peksanin, banues në Shkodër (lidhje familjare e Admir Tafilajt). Pasi ka shkuar në Shkodër, Kristi është takuar me Elson Merdanin dhe ky i fundit i ka treguar banesën e Brahim Manit, mjetet që përdorte, dhe e ka informuar mbi oraret e lëvizjes së tij. Në deklarimet e tij si shtetas nën hetim, Kristi Pine midis të tjerave shpjegon se: “Ai m’u prezantua si Tani dhe ishte djali i tezes së Admir Tafilajt. Më pas ne kemi lëvizur në lagjen ku banonte ai, duke bërë xhiro në atë zonë. Ai më pyeti nëse kisha folur me Admirin dhe unë i thashë që ‘po’. Ai atëherë më ka thënë se duhej të vrisja një person i cili ishte fqinj me vetë Tanin. Ky person quhej Brahim dhe punonte si murator. Ai më tha se Brahimi lëvizte me motor, dilte nga shtëpia rreth orës 07:00 dhe kthehej në orën 18:00 nga puna. Ai kishte dy ose tre fëmijë, nuk e mbaj mend. Ne kemi kaluar afër shtëpisë së Brahimit me makinë, ku Tani më tregoi shtëpinë, dhe rastësisht ka qenë në oborr edhe personi që do vritej. Unë e kam fiksuar atë, i cili ishte i thinjur, i gjatë, pak i shëndoshë. Ne kemi vazhduar lëvizjen me makinë, ku Tani më tregonte rrugën në të cilën duhej të ikja pasi të kryeja vrasjen. Ai më ka treguar edhe shtëpinë e xhaxhait të Tafilajt, e cila kishte kamera vëzhgimi, ndaj duhej të bëja kujdes kur të ikja, por gjithsesi, meqenëse ishte xhaxhai i Admirit, ishte njeriu i tyre. Kjo banesë ishte rreth 100 metra nga banesa e Brahimit. Më pas ne kemi shkuar në shtëpinë e Tanit, që ishte rreth 150 metra nga shtëpia e Brahimit, afër banesës së xhaxhait të Admirit. Edhe kësaj radhe Tani erdhi me makinën e tij “Mercedes” katërfenerësh blu të errët. Nga aty, Tani më ka marrë dhe më ka treguar edhe një herë zonën, rrugicat ku kishte kamera, rrugët nga do hyja dhe nga do dilja. Në momentin që kemi kaluar sërish te shtëpia e Brahimit, e kam parë sërish këtë person, i cili po ndërtonte katin e dytë të shtëpisë së tij dhe ishte duke suvatuar një faqe i hipur në një skelë. Tani më ka thënë se Brahimi pinte kafe shpesh në një lokal përballë një karburanti afër hotel ‘Argenti’”. Kristi Pine ka kryer njohjen me fotografi të të pandehurit Elson Merdani si personi që ka takuar në Shkodër, që i ka treguar banesën dhe personi që do të vriste. Gjithashtu, nga analiza e tabulateve telefonike rezulton se, ditën e ngjarjes dhe ditën që Kristi Pine ka shkuar në Shkodër për të kryer vrasjen, por arma nuk ka funksionuar, ka pasur biseda telefonike midis Admir Tafilajt dhe Elson Merdanit me shtetasin Kristi Pine, dhe midis Admir Tafilajt dhe Elson Merdanit me shtetasin Dritan Peksani, që priste në Shkodër. Antenat e përdorura për komunikim nga Kristi Pine konfirmojnë lëvizjen e tij nga Tirana në Shkodër e në kthim, duke konfirmuar në mënyrë të plotë deklarimet e tij. Të nesërmen, Pine ka shkuar te banesa e viktimës, i cili ka qenë në oborr duke punuar së bashku me të shoqen. Sikurse deklaron ai vetë, në një moment kur e shoqja ka hyrë brenda, i ka thirrur me emër dhe në momentin që Ibrahimi ka kthyer kokën dhe është përgjigjur, ai e ka qëlluar tri herë me pistoletën me silenciator që kishte me vete dhe është larguar. Disa metra larg nga vendi i ngjarjes autori ka hequr një palë tuta, brenda të cilave kishte dhe një paketë “Slims”, dhe i ka hedhur. Sipas procesverbalit të këqyrjes së vendit të ngjarjes të datës 25.06.2014, polica ka gjetur dhe sekuestruar në vendngjarje tri gëzhoja, dhe disa metra më larg një palë tuta dhe një paketë brenda në xhep. Të njëjtin mekanizëm ngjarjeje e shpjegon edhe bashkëshortja e Ibrahim Manit, dëshmitare okulare, Lirije Mani. Ajo ka shpjeguar se një ditë para ngjarjes dhe ditën e ngjarjes, pranë banesës së tyre ka kaluar disa herë një shtetas i ri, i cili ka vëzhguar në drejtim të oborrit dhe burrit të saj. Ditën e ngjarjes ai, pasi ka ardhur pranë gardhit, i ka thirrur me emër burrit të saj dhe në momentin që ai është përgjigjur dhe kthyer në drejtim të këtij shtetasi, ai e ka qëlluar dhe është larguar me vrap. Për këtë vrasje Kristi Pine nuk ka marrë shpërblim, pasi është kryer si një “nder” nga ana e tij ndaj Admir Tafilajt dhe personave të tjerë.
Atentati ndaj Edmond Çakmashit
Më 05.09.2014, në lagjen “Shkozë” të qytetit të Tiranës, Kristi Pine në bashkëpunim me Alfred Qefalian kanë tentuar të vrasin me armë zjarri Edmond Çakmashin, i njohur me emrin “Çako”. Për këtë vrasje Admir Tafilaj në muajin gusht të vitit 2014 i ka kërkuar Pines që të takohej me Alfred Qefalian, pasi ai kishte një punë. Si fillim, Pine nuk ka dashur ta takojë Qefalian, pasi ka kuptuar që bëhej fjalë për të kryer një vrasje, pasi ai ishte ende shumë i tronditur nga vrasja që kishte kryer në Shkodër. Pas këmbënguljes së Admirit, e ka takuar dhe Alfredi i ka kërkuar që të realizonin një vrasje bashkë të një personi dhe për këtë paguheshin 15.000 euro. Kristit i janë dukur shumë pak dhe për këtë nuk ka pranuar, por Tafilaj i ka kërkuar përsëri që të shkonte dhe ta takonte Alfred Qefalian. Më pas, Pine ka pranuar dhe ka shkuar ka takuar Qefalian, me qëllim kryerjen e vrasjes së Edmond Çakmashit. Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se këtë vrasje e ka kryer pasi ia ka kërkuar Alfred Qefalia, të cilën ia kishte kërkuar i thirruri “Cufe”, që është pronari i lokalit “Las Palmas” dhe që u identifikua si shtetasi nën hetim Ardian Ozuni. Për këtë vrasje do të paguhej 15.000 euro. Ky i fundit ia ka treguar fizikisht Edmond Çakmashin që ishte banor në lagjen “Shkozë”. Për këtë ata kanë shkuar disa herë në këtë lagje, ku kanë fiksuar banesën, mjetin me të cilin lëvizte ky shtetas, që ishte tip “Audi”, vendin ku e parkonte dhe kohën kur dilte ose hynte në banesë. Ditën e ngjarjes, Ardian Ozuni, i thirrur “Cufe”, ka lënë një mjet tip fuoristradë në Farkë, me të cilën autorët do të afroheshin dhe largoheshin pas kryerjes së krimit. Gjatë gjithë ditës që është realizuar krimi, kanë qëndruar te lokali “Las Palmas”, në pronësi të Ozunit. Tentativën e parë për të vrarë Edmond Çakmashin, Kristi Pine e ka bërë në datën 03.09.2014, kur ka shkuar së bashku me Alfred Qefalian dhe Klajdi Shermadhin. Sipas marrëveshjes, vrasjen do ta kryente Klajdi dhe Kristi me Alfredin do ta shoqëronin. Por, kur kanë shkuar pranë banesës së Edmond Çakmashit, Kristi dhe Alfredi kanë parë që Klajdi ishte shumë i emocionuar dhe i dridheshin duart kur mbante armën në dorë. Në këto kushte, Kristi dhe Alfredi e kanë lënë Klajdin në mjet dhe kanë shkuar për të kryer ekzekutimin. Por duke qenë se Alfredi ka ngatërruar rrugën për te banesa e Edmondit, janë vonuar, dhe kur kanë shkuar, kanë konstatuar që Edmondi kishte hyrë në shtëpi, pasi mjeti i tij ishte i parkuar para banesës. Ditën e ngjarjes, Ardian Ozuni, i thirrur “Cufe”, ka lënë një mjet tip fuoristradë në Farkë me të cilën autorët do të afroheshin dhe largoheshin pas kryerjes së krimit. Gjatë gjithë ditës që është realizuar krimi, kanë qëndruar te lokali i sipërpërmendur dhe në orën 19:30, shtetasit Kristi Pine, Alfred Qefalia, Ardian Ozuni dhe dhëndri i tij, shtetasi Dhimitër Zito, janë nisur për në Farkë te vendi ku kishin lënë mjetin fuoristradë me automjetin “Benz Aklas” të Ardian Uzunit. Ky i fundit ka qenë në timon, dhëndri në vendin e parë, dhe në sediljen e dytë shtetasit Alfred Qefalia e Kristi Pine, dhe gjatë rrugës kanë biseduar lidhur me kryerjen e vrasjes dhe armët me të cilat do të realizohej. Alfredi dhe Kristi kanë zbritur nga mjeti dhe kanë shkuar kanë marrë fuoristradën për të shkuar në Shkozë, ndërsa shtetasi Ardian Ozuni dhe dhëndri i tij janë kthyer për në lokal. Rreth orës 09:00 të mbrëmjes kanë qenë te nënstacioni në Shkozë, pranë banesës së shtetasit Edmond Çakmashi. Kristi ka pasur me vete një armë tip “Zastava” dhe Alfredi një pistoletë tip “Beretta”, të dyja me silenciator, që ua kishte dhënë Ozuni. Kristi Pine ka zbritur nga mjeti, ndërsa Alfredi ka pritur në makinë dhe ka shkuar midis pallateve, ku rastësisht ka parë mjetin e personit që do të vriste, i cili po fliste me telefon. Sapo e ka parë Kristin, Edmond Çakmashi ka ndezur dritat e mjetit. Kristi ka vënë dorën në fytyrë për të mos u verbuar dhe kur ka kaluar pranë mjetit ka parë targën për t’u siguruar nëse ishte mjeti i duhur. Pasi është siguruar, ka shkuar pas një pallati, ka vënë në dorë dorezat, ka mbushur pistoletën dhe është kthyer në të njëjtën rrugë, duke u afruar te makina nga krahu i shoferit. Personi ishte ulur në sediljen e timonit, mbështetur dorën në derë dhe po fliste në telefon. Xhami ishte i hapur dhe dëgjohej muzika e mjetit. Kristi Pine ka qëllua disa herë në drejtim të kolonës së mesit të mjetit, duke pretenduar se nuk kishte për qëllim ta vriste personin. Pas këtij momenti, Kristi është larguar me vrap për te mjeti ku e priste Alfredi dhe së bashku janë larguar me mjet në drejtim të Farkës, ku e kanë lënë mjetin në një vend dhe më pas kanë ecur në këmbë disa kilometra dhe kanë shkuar në banesën e Alfredit, ku kanë fjetur atë natë. Në një vend kanë hedhur pistoletën tip “Zastava” me të cilën është qëlluar. Të nesërmen kanë shkuar te lokali “Las Palmas”, ku kanë takuar Ardian Ozunin, i cili u ka bërtitur duke i thënë Alfredit: “Përse nuk e mbaruat”. Pas kryerjes së veprimit, Kristi i ka kërkuar Alfredit gjysmën e shumës që ishte premtuar, pasi ai kishte qëlluar në drejtim të personit, pra 7.500 euro. Por Alfredi nuk ia ka dhënë, me pretendimin se personi që i kishte kërkuar “Cufes” këtë vrasje ishte zhdukur dhe nuk kishte paguar./News 24/
vijon
KOHA JONË SONDAZH

