Adrian Çela: OSHEE, masa për furnizimin me energji në zonat e prekura nga moti i keq

Administratori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), Adrian Çela inspektoi nga afër zonat e mbetura pa energji elektrike për shkak të kushteve të këqija atmosferike. Për shkak të bllokimit të rrugëve, grupet e OSHEE e kishin të pamundur të dërgonin bazën material për lidhjen e energjisë, duke sjellë vështirësi në menaxhimin e situatës.

Me ndihmën e dëgeve të tjera të OSHEE në rrethe, u morën masa për stabilizimin e situatës dhe për t’i dhënë fund mungesës së energjisë elektrike në zonat e prekura, sidomos në fshatrat e Librazhdit.

“Siç e shikoni, jemi këtu në fshatin Gizavesh, komuna Qendër ku situata paraqitet më e agravuar. Kemi marrë masat dhe kemi sjellë brigadat e emergjencës nga zona të ndryshme të vendit si Durrësi, Shkodra apo Fieri, të cilat janë në mbështetje të brigadave lokale këtu. Veprimet tona po mbështeten dhe nga banorët e zonës të cilët po na ndihmojnë. Po punohet në një situatë ku i ftohti është ekstrem dhe priten edhe reshje të tjera dëbore”,- tha Çela. Ai u shpreh se në këtë zonë ka patur shumë dëmtime në linja dhe pas dy ditësh punë intensive presim që sot këtu të rikthehet energjia. “Në të njëjtën formë do të vazhdojmë edhe në zonën e Përrenjasit. Kjo është pjesa e cila mund të cilësohet më problematikja në gjithë territorin e vendit. Në rang vendi në total, numri i abonentëve që nuk kanë energji është rreth 6-7 mijë (nga 1.18 milionë abonentë), pra më pak se 1% e abonentëve. OSHEE po bën përpjekjet maksimale për të mundësuar rikthimin e energjisë brenda ditës së sotme dhe të nesërme”,- tha Çela.

Plani i masave të miratuara pak ditë para festave të fundit nga OSHEE vuri në gatishmëri rreth 3000 punonjës, pajisje dhe logjistikë, për t’i bërë ballë një situate të agravuar për shkak të kushteve atmosferike, 30 mm borë dhe shpejtësi ere deri në 25 km/h, që dëmtoi mbi 250 km kabëll dhe rrëzoi 370 shtylla.

SHKARKO APP