Agron Gjekmarkaj: Kryqi mbi kokën e Ismail Kadaresë!

Nga Agron Gjekmarkaj:

Në Shqipëri me gjasë nuk të lënë të jetosh siç dëshiron pa të kërkuar llogari qysh e tek, nuk të lënë të vdesësh siç dëshiron por edhe në botën e përtejme të duan siç duan ose në fakt si nuk e dinë çfarë duan!

E kanë guxuar këtë me Rugovën megjithëse ai nuk dukej se impresionohej shumë, e kanë bërë me Kadarenë i cili përtej bezdisë që shfaqte as që e çante kokën dhe as që i merrte në konsideratë!

Kur Rugova nderroi jetë u bë një ceremoni laike menjëherë nga fundshpina e ndërgjegjeve shpërthyen ulerimat pse nuk patë hoxhallarë në shartet e fundit, pse nuk mori prift ca të tjerë, pse muzika e Bethovenit e Moxartit në sfond ndokush?
U konvertua në Pjeter a mbet Ibrahim, nuk pushoi gjatë llomotia e marrëzia!?!

A thua se keto janë shqetësimi i vetëm i shqiptarëve të bashkohësisë si e qysh personalitetet e tyre i kanë, a si kanë marrëdhëniet me religjionin!
Në vitet 90 këtë gjyq ja bënë edhe Konicës në ishte më shumë Domenik apo Faik?!

Dikush a ndonjë ngjan i shqetësuar pse Ismail Kadare orët e fundit mes nesh i kaloi nën hijen e Nënë Terezës dhe rruzares së saj, kësaj bije madhështore të kombit tonë që e nderon gjithë bota përtej besimeve të tyre e po kaq ngjan se e respektojnë shqiptarët!

Ndërsa se çfarë mendonte Ismail Kadare për Nënë Terezën ka deshmi të panumërta, me zë e shkrim! Thjesht e adhuronte e nderonte!

Po ashtu ai s’ka ngurruar të flasë pa ekuivok në të gjallë se çfarë mendon për besimet, gjuhën, kulturën, shqiptarët dhe Europën, kemi qindra faqe dëshmi! Nuk u fsheh kurrë. Insistonte të ishte i qartë.

Përtej fjalëve justifikuese të Edi Ramës, portreti i Nënë Terezës dhe Kryqi i saj nuk mund t’i vihej kurrë mbi kokë me vendim qeverie pa deshirën e familjes, zonjës Helene e bijave të tij!

Ndërsa ata (familja e tij) nuk do ja bënin asnjëherë njeriut të tyre më të shtrenjtë, një pabesi, një kurth, një rastesi, diçka që do ishte kundër dëshirave të tij.
Në çdo rast ata janë në të drejtën e tyre ta përcillnin atë siç deshironin!

Nëse Kadare ka lënë një amanet a ka dashur të japë një mesazh kjo është një e drejtë e tij sovrane, e shenjtë dhe e familjes së tij të cilën nuk mund ta gjykojë askush!?!

Vihen re keqkuptime andej këtej ose bëjnë sikur nuk e dinë që shqiptaria ka muslimanë, katolikë, ortodoksë, fe të tjera, agnostikë, ateistë gjëja më e natyrshme dhe në një shoqëri plurale, ku besimet janë personale dhe jo domen i shesheve publike apo administratës shtetërore!

Asnjëri prej tyre nuk është më shumë shqiptarë a më pak se tjetri! Secili e ka në dorë vetë të ndihet sa dëshiron europian!

Kjo është liria e cila mbetet bazike për çdo qytetar po kaq e tillë për Ismail Kadarenë i cili në identitetin tonë kombëtar e kulturorë ka lënë gjurmën më titanike! Ne duhet të afrohemi me njëri tjetrin, të shtojmë të përbashkëtat, jo të hedhim gurë mbi çdo pemë që ka kokrra!

Gjatë ditëve kur opozita ishte në protestë më ka qëlluar të bisedoj disa herë në zyrën e grupit me Sali Berishën për çështje, kulture e besimi, kanuni e etnografie! Biseda tejet interesante dhe nëse nuk do i kisha bërë do kishte qenë një peng, pa asnjë ngarkesë!

Më mbet në mendje ndër të tjera një frazë “në gjashtë breza Agron ne jemi Marvataj, katolikë dhe gjyshja ime ndizte gjithmonë një qiri në kujtim të kushërinjve tanë”!

Kjo është historia jonë e ndërthurur!

E kemi të pamundur ta ndryshojmë atë sipas Biblës dhe Kuranit! Librat e shenjtë mund t’i përdorim për ta pasuruar atë dhe jo për zhbërë as për mllefe e maraze momenti! Personalisht e imagjinoj Kadarenë duke biseduar tashmë me Bogdanin, De Radën, Naimin, Fishtën, Mjedën, Konicën, Nolin, Lasgushin, Kutelin, Esad Mekulin, Azem Shkrelin, Ali Podrimën, Anton Pashkun, Rugovën, Zef Pllumin e të tjerë sivëllezër të artit të madh, të gjithë atyre që Shqipërinë e deshën Shqipëri dhe shqiptarët shqiptarë, të bashkuar jo të ndarë, europianë dje sot e nesër! ….Dhe tek Bogdanin sheh nga larg duket sikur psherëtin krejt si në “Çeshtje të marrëzisë”…..”ah vllau ma i vjeter hem me giuhë hem me fe tjeter”! Deshira per të banalizuar Kadarenë për mllefe mediokriteti e meskiniteti është e pashpresë, mundësia që çdokush që tenton ta bëjë të banalizojë vetveten i ka të pafundme rruget e suksesit!

SHKARKO APP