Akademia e Shkencave uron Rexhep Qosen

Placeholder Image

Akademia e Shkencave ka uruar sot Akademikun Rexhep Qosja, me rastin e 80-vjetorit të lindjes. Më poshtë urimi i plotë i kreut të akademisë, Myzafer Korkuti.

I dashur prof. Rexhep Qosja, mik i shtrenjtë,

Akademia e Shkencave e Shqipërisë shenjon e feston sot bashkë me ju 80-vjetorin e ditëlindjes suaj dhe ju uron përzemërsisht për shumë mot e për shumë jubilenj gëzuar.

Në personalitetin tuaj Akademia e Shkencave e Shqipërisë çmon lart një jetë të denjë të mbushur me veprimtari të shumanshme e të pandërprerë, më shumë se gjysmëshekullore, si studiues e si shkrimtar, si protagonist i zhvillimeve kombëtare në Kosovë e në Shqipëri, si dijetar e mendimtar, gjithnjë në paraprirje të proceseve më përparimtare të botës shqiptare.

Janë të rralla rastet e lumtura të shkrirjes së shkëlqyer të energjisë intelektuale dhe virtytit moral me pasionin misionar, siç e provon veprimtaria juaj shkencore e qytetare.

Vepra juaj është një referencë themelore dhe një gur i rëndë në ngrehinën e vetëdijes dhe të botëkuptimit shqiptar. Ajo është sot dhe do të jetë nesër, ajo është bërë pjesë me rëndësi e historisë së mendimit kombëtar.

Historia e letërsisë shqipe, historia e kulturës kombëtare, historia e çështjes shqiptare, kanë gjetur në veprën tuaj një mendje të mprehtë dhe një kurajë të fortë, që i ka përshkuar vitet e dekadat me koherencë e devotshmëri. Prej këtij 80-vjetori, ju dhe ne, miqtë tuaj, kemi plot të drejtë t’i shohim kohët e përshkuara me krenarinë e qëllimit të përmbushur.

Ne ju urojmë përzemërsisht jetë të gjatë, shëndet të plotë, kërkim e krijimtari të suksesshme, gëzime të reja e arritje të tjera.

 Muzafer Korkuti

Kryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

SHKARKO APP