Aksidenti/ Policia: Si ndodhi përplasja fatale në Laprakë
Policia e Tiranës ka dhënë detaje për aksidentin e ndodhur gjatë natës në kryqëzimin e Laprakës në kryeqytet, ku një vajzë mbeti e vdekur, ndërsa 3 të tjerë janë plagosur.
Sipas policisë, është arrestuar në flagrancë shoferi Ervin Bixhi, 26 vjeç, pasi drejtonte mjetin nën ndikimin e alkoolit.
Dy mjetet janë përplasur në rrugën “Dritan Hoxha”, ndërsa drejtuesi i mjetit tjetër të përfshirë në aksident është me detyrë oficer policie.
Viktimë ka mbetur Xh. T, 28 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ishte pasagjere së bashku me vajzën tjetër, F. F, 25 vjeçe në mjetin e Ervin Bixhit.
NJOFTIMI I POLICISE
Tiranë Më datë 05.01.2017, shërbimet e Komisariatit të Policisë Rrugore kanë arrestuar në flagrancë shtetasin: – Ervin Bixhi, 26 vjeç, banues në Tiranë.
Ky shtetas duke drejtuar nën ndikimin e alkoolit, automjetin tip “Jeep”, në rrugën “Dritan Hoxha”, është përplasur me automjetin tip “Jeep”, me drejtues shtetasin Gj. K., 42 vjeç, banues në Tiranë me detyrë oficer policie, i cili ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën.
Si pasojë e kësaj përplasje, ka gjetur vdekjen shtetësja Xh. T., 28 vjeçe, banuese në Tiranë, si dhe ka mbetur e plagosur dhe shtetësja F. F., 25 vjeçe, banuese në Tiranë, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës jashtë rrezikut për jetën. Të dyja shtetaset e lartë përmendur ndodheshin pasagjere në automjetin e shtetasit Ervin Bixhi.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale të “Shkeljes së Rregullave të Qarkullimit Rrugore dhe Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”.
/BW
Pamjet e raportuara mbrëmjen e djeshme nga “JOQ” të aksidentit fatal

