Aksident autobusit në autostradën Tiranë-Durrës, shoferi dyshohet se pësoi arrest kardiak!
Grupi hetimor i policisë vijon të ketë të njëjtin dyshim se aksidenti i rëndë ka ndodhur për shkak të arrestit kardiak të shoferit 36 vjeçar Redion Hasimi.
Kjo pasi drejtuesi i mjetit nuk ka frenuar dhe nuk ka tentuar të ndalojë mjetin, megjithatë do të jetë ekspertiza mjekoligjore që do e përcaktojë me saktësi shkakun.
Drejtuesi i mjetit bënte thuajse çdo ditë bënte rrugën Tiranë-Berat dhe anasjelltas.
Nga verifikimet e policisë 36-vjeçari nuk rezulton se po lëvizte me shpejtësi tej normave. Në autostradë shpejtësia është 100 k/h ndërsa mjeti shpejtësinë maksimale e ka 110km/h.
Policia rrugore e Tiranës ka kryer verifikime dhe nuk rezulton se shoferi të ketë qenë problematik apo me shkelje rrugore të konstatuara.
Spitali Universitar i Traumës njofton se ekipi multidisiplinar i SUT ka qenë në gatishmëri dhe ka ndjekur në dinamikë pacientët e përfshirë në aksidentin e ndodhur në autostradën Tiranë–Durrës.
5 pacientë, të cilët ditën e djeshme janë paraqitur koshientë dhe më të stabilizuar, pas trajtimit mjekësor sipas protokolleve përkatëse, janë larguar nga spitali jashtë rrezikut për jetën, me këshillë nga mjeku.
Gjithashtu, pritet që edhe një pacient tjetër të largohet nga spitali gjatë ditës, jashtë rrezikut për jetën dhe me këshillë nga mjekët.
I mituri 8-vjeçar ndodhet në Reanimacionin e SUT, me parametra jetësorë stabël.
Gjithashtu, në Reanimacion ndodhet edhe një shtetase vietnameze me nënshtetësi çeke, 56 vjeç, e cila është në monitorim intensiv. Ajo paraqitet me parametra jetësorë stabël, por në gjendje të rëndë shëndetësore për shkak të dëmtimeve të shumta të marra.
Fëmija 14-vjeçar ndodhet jashtë rrezikut për jetën, në pavion, nën kujdesin e stafit mjekësor, me dëmtime në gjymtyrët e poshtme.
Sa i përket pacientëve që ndodhen ende në observimin e Urgjencës dhe që i janë nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale, gjendja e tyre shëndetësore është e stabilizuar dhe do të vijojnë të qëndrojnë në monitorim intensiv. Ndër ta është edhe një shtetase çeke me origjinë vietnameze, 20 vjeç.
KOHA JONË SONDAZH

