Aksion policor në Tiranë e zonat përreth, dy të arrestuar dhe sende të paligjshme të sekuestruara

Policia ka zhvilluar një operacion të gjerë kontrolli në disa zona të Tiranës, si dhe në Fushë-Krujë, Bubq e Nikël, me qëllim parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme. Gjatë aksionit janë arrestuar dy persona në flagrancë, ndërsa janë sekuestruar lëndë narkotike e dyshuar kokainë, një armë e ftohtë dhe një automjet luksoz.

Operacioni është realizuar nga Forca e Posaçme Operacionale dhe Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë Rrugore. Kontrollet janë zhvilluar në kuadër të masave për rritjen e sigurisë publike dhe evidentimin e personave që mund të jenë të përfshirë në veprimtari kriminale.

Sipas policisë, objektiv i kontrolleve kanë qenë personat që posedojnë armë pa leje, lëndë narkotike, individët në kërkim, si dhe verifikimi i automjeteve luksoze, mjeteve me xhama të errësuar mbi normat e lejuara dhe automjeteve të modifikuara që krijojnë zhurma shqetësuese.

Swiss Digital Desktop Reklama

Gjatë operacionit janë kontrolluar 87 automjete dhe 118 shtetas. Gjithashtu, janë evidentuar 34 automjete me xhama të errësuar në kundërshtim me rregullat e qarkullimit, për të cilat drejtuesit janë ndëshkuar me masa administrative. Për verifikime të mëtejshme janë shoqëruar 12 automjete dhe 16 persona.

Swiss Digital Mobile Reklama

Një nga të arrestuarit u kap me një sasi lënde narkotike të dyshuar kokainë, ndërsa një tjetër u ndalua pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë e ftohtë, konkretisht një shufër metalike.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar edhe një shtetas që rezultoi se kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”. Automjeti luksoz që ai përdorte është sekuestruar.

Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim parandalimin e veprimtarive të paligjshme dhe garantimin e rendit e sigurisë për qytetarët.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?