Aksioni i Policisë Rrugore në Vlorë, mijëra shkelje të konstatuara dhe 6 drejtues në pranga
Policia Rrugore e Vlorës ka vijuar kontrollet intensive në të gjithë qarkun, me qëllim rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e aksidenteve gjatë sezonit me fluks të lartë automjetesh.
Për monitorimin e situatës, efektivët kanë përdorur pajisje të teknologjisë së avancuar, përfshirë dronë, radarë dhe automjete inteligjente. Kontrollet janë fokusuar kryesisht te drejtuesit që shkelin rregullat më të rrezikshme të qarkullimit, si drejtimi nën efektin e alkoolit, mungesa e lejes së drejtimit, tejkalimi i shpejtësisë dhe manovrat e rrezikshme.
Gjatë periudhës 25-31 korrik 2026, si rezultat i kontrolleve në terren, janë arrestuar 6 drejtues automjetesh, ndërsa 7 të tjerë janë proceduar penalisht për drejtim të parregullt të mjetit.
Në të njëjtën periudhë, Policia Rrugore ka vendosur 3459 masa administrative për shkelje të ndryshme të Kodit Rrugor. Pjesa më e madhe e gjobave lidhet me tejkalimin e shpejtësisë, me 1250 raste të konstatuara. Gjithashtu janë ndëshkuar 320 drejtues për mosmbajtje të kaskës mbrojtëse, 99 për parakalime të gabuara, 80 për mungesë të rripit të sigurimit dhe 63 për përdorim të xhamave të errësuar në kundërshtim me ligjin.
Masat e tjera kanë përfshirë shkelje si mosdhënia e përparësisë këmbësorëve, pozicionimi i gabuar i mjeteve, përdorimi i celularit gjatë drejtimit dhe drejtimi i automjetit nën efektin e alkoolit. Për shkelje të tjera të Kodit Rrugor janë vendosur edhe 1495 masa administrative.
Policia Rrugore e Vlorës njofton se kontrollet do të vijojnë në rrugët urbane, interurbane dhe rurale, duke përdorur të gjitha mjetet në dispozicion për të parandaluar aksidentet dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Autoritetet u kanë bërë apel drejtuesve të mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë.
KOHA JONË SONDAZH

