Akuzat e Berishës, reagojnë Leart dhe Orik Shyti

Pas akuzave që ka bërë dje ish-kryeministri Sali Berisha mbrëmjen e djeshme, ku ngrinte hipoteza për lidhje mes drogës së kapur në Elbasan dhe organizatës së njohur me emrin “Hakmarrja për Drejtësi”, sot kanë reaguar dy vëllezërit Leart dhe Orik Shyti.

Në një letër publike ata shprehen se “qyshkur Sali Berisha krijoi “Hakmarrjen për Drejtësi” dhe deri më sot nuk ka reshtur së akuzuari neve si autorë të gjithë krimeve të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri. Edhe kur autorët janë gjetur e dënuar shpifjet kanë vazhduar, duke i cilësuar ata si pjesë të “Hakmarrjes për Drejtësi” ose lidhje të saj, që i emërton: “filiale”, “segmente” e si i ka ardhur për mbarë”. Në këtë linjë, ata shprehen se dhe akuzat e bërë së fundi nga Berisha janë një sajesë.

Leart dhe Orik Shyti shprehen se organizata “Hakmarrja për Drejtësi” është një sajesë e Berishës. Ndërsa shtojnë se krimet që i atribuohen kësaj organizata të krijuar nga Berisha janë bërë nga njerëzit e tij. Ata përmendin rastin e vendosjes së bombës tek VEFA, duke u shprehur se kanë qenë bashkëpuntoër e Berishës ata që e kanë vendosur. “Përveç të tjerave, hall për të janë provat e administruara nga gjykatat shqiptare dhe të huaja që faktojnë se krijuesi i “Hakmarrjes” është ai. Muajt e fundit hallet ia shtuan edhe ish-bashkëpunëtorët e tij të mbetur gjallë, që, duke shfrytëzuar çiltërsinë e tyre naive, i ndau, i përçau e i vrau pa mëshirë. Ata i thanë botërisht se autobombën dhe vrasjen e kryen njerëzit e bandës së tij, me emra e mbiemra”.

 

Letra e plotë

Pak fjalë për shpifësin e palodhur Sali Berisha

Leart Shyti

Orik Shyti

Qyshkur Sali Berisha krijoi “Hakmarrjen për Drejtësi” dhe deri më sot nuk ka reshtur së akuzuari neve si autorë të gjithë krimeve të rënda që kanë ndodhur në Shqipëri. Edhe kur autorët janë gjetur e dënuar shpifjet kanë vazhduar, duke i cilësuar ata si pjesë të “Hakmarrjes për Drejtësi” ose lidhje të saj, që i emërton: “filiale”, “segmente” e si i ka ardhur për mbarë.

Nuk mund të bënte ndryshe as në rastin e fundit. Fill pas zbulimit të grupit të drogës në Elbasan i nxiri e nxiu fejsbukun. Për të nuk ka aspak rëndësi nëse i njohim apo jo ata që akuzohen apo dënohen, i kemi apo nuk i kemi lidhje familjare. Sigurisht kur rastis që janë të njohur a lidhje familjare ngazëllimin e ka më të madh. E rëndësishme për të është të përsërisë se pas çdo krimi qëndron “Hakmarrja për Drejtësi”. I jemi përgjigjur në shumë raste dhe, ndryshe nga ai, i kemi dhënë opinionit prova nga ato të administruara në gjykatë për të gjitha akuzat që na ka bërë, deri edhe aktin e ekspertimit grafik që provon se platformën e “Hakmarrjes për Drejtës” nuk e kemi shkruar ne, por ai.

Përveç të tjerave, hall për të janë provat e administruara nga gjykatat shqiptare dhe të huaja që faktojnë se krijuesi i “Hakmarrjes” është ai. Muajt e fundit hallet ia shtuan edhe ish-bashkëpunëtorët e tij të mbetur gjallë, që, duke shfrytëzuar çiltërsinë e tyre naive, i ndau, i përçau e i vrau pa mëshirë. Ata i thanë botërisht se autobombën dhe vrasjen e kryen njerëzit e bandës së tij, me emra e mbiemra.

Nuk po e zgjasim më tej Sali, ngase i vlerësojmë këshillat e lexuesve që të mos merremi më me ty. Nuk duam t’i lodhim ata, por të sigurojmë se energjitë e harxhuara nuk do të të shkojnë dëm. Është e sigurt që mbi gurin e mortit tënd politik shkruesit nuk do ta shmangin dot emrin e “Hakmarrja për Drejtësi”. E meriton këtë në epitafin e përjetshëm dhe askush nuk ka të drejtë të të hyjë në pjesë.

Ta gëzosh!

16.01.2015 

SHKARKO APP